Manifest për arsimin në Kosovë: 20 reforma që nuk mund të presin më

Pjesa e shtatë e fejtonit analitik “ Anatomia e një sitemi arsimor në degradim

“Arsimi është arma më e fuqishme që mund ta përdorësh për të ndryshuar botën.”
— Nelson Mandela–

Shkruan: Burim Gjaka

Gjatë shtatë pjesëve të këtij fejtoni janë trajtuar disa nga sfidat më të rëndësishme të arsimit parauniversitar në Kosovë: financimi, infrastruktura, pozita e mësimdhënësit, lidershipi i shkollave, autonomia institucionale, meritokracia dhe kultura e vlerësimit. Është analizuar jo vetëm gjendja aktuale, por edhe shkaqet që kanë çuar drejt një degradimi gradual të sistemit. Megjithatë, asnjë analizë nuk është e plotë nëse ndalet vetëm te problemet. Çdo diagnozë serioze duhet të shoqërohet me zgjidhje.

Reformat që pasojnë nuk pretendojnë të jenë të vetmet të mundshme, por përfaqësojnë një platformë minimale ndryshimesh, të mbështetura në përvojat e vendeve me sisteme të suksesshme arsimore, në parimet e administrimit modern dhe në nevojat reale të shkollave në Kosovë. Arsimi nuk ka nevojë për reforma spektakolare që zgjasin vetëm një mandat politik. Ai ka nevojë për reforma të qëndrueshme, që ndërtojnë besim, profesionalizëm dhe cilësi për dekada.

  1. Depolitizimi i sistemit arsimor

Arsimi duhet të ndërtohet mbi profesionalizmin, meritokracinë dhe integritetin institucional, duke u mbrojtur nga çdo formë e ndikimit politik në vendimmarrje. Emërimi, avancimi, vlerësimi dhe zhvillimi në karrierë i drejtuesve të institucioneve arsimore, mësimdhënësve dhe personelit tjetër arsimor duhet të mbështeten ekskluzivisht në kompetencën profesionale, performancën, integritetin dhe procedura të drejta, transparente e të barabarta për të gjithë.

Përzgjedhja e kuadrit drejtues dhe profesional duhet të zhvillohet përmes proceseve të pavarura, objektive dhe të mbështetura në kritere të qarta, duke garantuar që çdo pozitë të fitohet mbi bazën e meritës dhe jo të përkatësisë politike, ndikimeve partiake apo formave të tjera të favorizimit. Ndërhyrjet politike në sistemin arsimor cenojnë cilësinë e arsimit, dobësojnë autoritetin profesional të institucioneve, demotivojnë kuadrin e kualifikuar dhe ulin besimin e qytetarëve në drejtësinë e proceseve të rekrutimit dhe avancimit.

Një sistem arsimor i depolitizuar krijon mundësi të barabarta për të gjithë profesionistët, forcon llogaridhënien institucionale dhe siguron që vendimet të merren në interes të nxënësve dhe zhvillimit të arsimit, e jo në funksion të interesave afatshkurtra politike. Vetëm një sistem i bazuar në meritokraci, profesionalizëm dhe integritet mund të garantojë cilësi të qëndrueshme, besim publik dhe zhvillim afatgjatë të arsimit në Republikën e Kosovës.

  1. Fuqizimi i autonomisë funksionale dhe profesionale të shkollave

Shkollave duhet t’u garantohen kompetenca më të gjera në vendimmarrjen pedagogjike, organizative, financiare dhe menaxheriale, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe të shoqëruara me mekanizma të qartë të llogaridhënies. Një shkollë cilësore nuk mund të zhvillohet nëse drejtuesit dhe stafi profesional kanë përgjegjësi të mëdha, por kompetenca të kufizuara për të marrë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin dhe përmirësimin e saj.

Autonomia e shkollës nuk duhet të kuptohet si mungesë kontrolli apo shmangie nga standardet shtetërore, por si një mundësi që drejtuesit, mësimdhënësit dhe komuniteti i shkollës të marrin vendime të përgjegjshme, të bazuara në nevojat konkrete të nxënësve dhe karakteristikat e institucionit. Kjo kërkon që drejtorët e shkollave të kenë kompetenca reale në organizimin e punës, zhvillimin profesional të stafit, përdorimin efikas të burimeve, nxitjen e inovacionit dhe krijimin e një kulture bashkëpunimi brenda shkollës.

Krahas rritjes së autonomisë, duhet të forcohen edhe mekanizmat e transparencës, monitorimit dhe llogaridhënies, në mënyrë që çdo vendim të jetë në shërbim të cilësisë së arsimit dhe interesit më të mirë të nxënësve. Një shkollë autonome, por e përgjegjshme, krijon kushte për udhëheqje më efektive, reagim më të shpejtë ndaj sfidave dhe përmirësim të vazhdueshëm të rezultateve. Fuqizimi i autonomisë së shkollës është një hap i domosdoshëm drejt ndërtimit të institucioneve arsimore më profesionale, më fleksibile dhe më të afta për të përmbushur misionin e tyre.

  1. Themelimi i Akademisë Kombëtare për Lidership në Arsim

Drejtimi i një shkolle duhet të njihet si profesion që kërkon përgatitje të specializuar dhe zhvillim të vazhdueshëm profesional. Për këtë arsye, çdo kandidat i ri për drejtor shkolle, para emërimit në detyrë, duhet të ndjekë një program të detyrueshëm të formimit në lidership arsimor, menaxhim, legjislacion, financa publike dhe menaxhim të burimeve njerëzore, duke u certifikuar nga Akademia Kombëtare për Lidership në Arsim.

Për drejtorët aktualë, të cilët kanë ushtruar funksionin për dy ose më shumë mandate dhe kanë kaluar me sukses vlerësimet e performancës sipas legjislacionit në fuqi, duhet të parashihet certifikimi automatik nga Akademia, pa ndjekjen e programit bazë të formimit. Për ta, Akademia duhet të ofrojë programe të avancuara të zhvillimit profesional dhe përditësimit të njohurive, e jo rikualifikim për një profesion që tashmë e ushtrojnë me përvojë të dëshmuar.

  1. Riformësimi i rolit të Drejtorive Komunale të Arsimit

Drejtoritë Komunale të Arsimit duhet të transformohen nga struktura me fokus kryesisht administrativ dhe menaxhim të procedurave, në institucione profesionale që udhëheqin, mbështesin dhe zhvillojnë cilësinë e arsimit në nivel lokal. Roli i tyre nuk duhet të kufizohet vetëm në zbatimin e kërkesave administrative, por duhet të përfshijë planifikimin strategjik, monitorimin e cilësisë, mbështetjen profesionale të shkollave, zhvillimin e kapaciteteve të drejtuesve dhe mësimdhënësve, si dhe identifikimin e nevojave reale të institucioneve arsimore.

DKA-të duhet të ndërtojnë mekanizma funksionalë të këshillimit dhe mbështetjes profesionale për shkollat, duke ofruar orientim, mentorim dhe zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballen drejtuesit dhe mësimdhënësit. Mbikëqyrja e shkollave duhet të kalojë nga një qasje kryesisht kontrolluese dhe verifikuese në një qasje zhvillimore, ku vlerësimi i gjendjes së shkollave shoqërohet me rekomandime, mbështetje dhe masa konkrete për përmirësim.

Për ta realizuar këtë rol, DKA-të duhet të fuqizohen me staf profesional të përgatitur, kritere të qarta për rekrutimin e zyrtarëve, kapacitete analitike dhe përgjegjësi të përcaktuara qartë. Një Drejtori Komunale e Arsimit që funksionon si partner profesional i shkollave, dhe jo vetëm si hallkë administrative, mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsimit, në zhvillimin e institucioneve arsimore dhe në përmirësimin e rezultateve të nxënësve.

  1. Financim i drejtë, transparent dhe i bazuar në nevoja

Modeli i financimit të shkollave nuk duhet të bazohet vetëm në numrin e nxënësve, sepse një qasje e tillë diskriminon shkollat e vogla, veçanërisht ato në zonat rurale dhe të thella, të cilat kanë të njëjtat detyrime ligjore për organizimin e procesit mësimor dhe administrimin e institucionit. Formula e financimit duhet të mbështetet në kritere të qarta dhe objektive, duke marrë parasysh jo vetëm numrin e nxënësve, por edhe financimin minimal funksional të çdo shkolle, nevojat infrastrukturore, kushtet sociale, karakteristikat gjeografike dhe prioritetet zhvillimore. Krahas garantimit të financimit bazë për funksionimin normal të çdo institucioni arsimor, duhet të krijohen mekanizma që nxisin inovacionin, përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe përdorimin efikas e transparent të burimeve publike

  1. Standard kombëtar për infrastrukturën dhe mjedisin e të nxënit

Çdo nxënës në Republikën e Kosovës duhet të ketë të drejtën të mësojë në një institucion arsimor që garanton kushte të sigurta, të shëndetshme dhe të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor. Për këtë arsye, duhet të përcaktohet dhe të zbatohet një standard kombëtar për infrastrukturën shkollore, i cili garanton kritere minimale dhe të barabarta për të gjitha shkollat, pavarësisht madhësisë, vendndodhjes apo karakteristikave të tyre.

Ky standard duhet të përfshijë kërkesa të qarta për sigurinë e objekteve shkollore, hapësirat funksionale mësimore, laboratorët, bibliotekat, pajisjet teknologjike, ambientet sportive dhe rekreative, kushtet higjieno-sanitare, ngrohjen, qasjen për personat me aftësi të kufizuara dhe krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës e miqësor për nxënësit dhe stafin. Investimet në infrastrukturën arsimore duhet të bazohen në analiza të nevojave dhe prioriteteve reale, duke shmangur pabarazitë ndërmjet shkollave dhe duke siguruar që edhe institucionet në zonat rurale të kenë mundësi të zhvillohen sipas standardeve të njëjta.

Mjedisi fizik ku zhvillohet mësimi nuk është vetëm çështje komoditeti, por një faktor që ndikon drejtpërdrejt në motivimin e nxënësve, mirëqenien e tyre, cilësinë e mësimdhënies dhe rezultatet e të nxënit. Prandaj, cilësia e arsimit nuk mund të shkëputet nga cilësia e kushteve në të cilat zhvillohet procesi edukativo-arsimor. Një sistem arsimor që synon rezultate më të mira duhet të sigurojë që çdo fëmijë, pavarësisht vendbanimit të tij, të ketë mundësi të mësojë në një mjedis dinjitoz, të sigurt dhe stimulues.

  1. Ulja graduale e numrit të nxënësve në klasë

Politikat arsimore duhet të synojnë, në mënyrë graduale dhe në përputhje me mundësitë buxhetore, uljen e numrit të nxënësve në klasat e mbingarkuara, duke respektuar standardet pedagogjike. Synimi nuk është krijimi i klasave me numër shumë të vogël nxënësish, por sigurimi i një madhësie optimale të klasës që i mundëson mësimdhënësit t’i kushtojë më shumë vëmendje secilit nxënës. Klasat me një numër të arsyeshëm nxënësish krijojnë kushte më të mira për mësimdhënie të diferencuar, mbështetje individuale, menaxhim më efektiv të procesit mësimor, përfshirje më të madhe të nxënësve në mësim dhe, si rezultat, përmirësim të cilësisë së të nxënit. Kjo reformë duhet të zbatohet veçanërisht në shkollat ku klasat janë të mbingarkuara, ndërsa organizimi aktual i shkollave me numër të vogël nxënësish nuk duhet të përdoret si argument për mbylljen apo diskriminimin e tyre.

  1. Program kombëtar mentorimi për mësimdhënësit e rinj

Çdo mësimdhënës që hyn për herë të parë në sistemin arsimor duhet të përfshihet në një program të strukturuar dhe të detyrueshëm mentorimi, i cili synon lehtësimin e kalimit nga përgatitja akademike në praktikën profesionale të mësimdhënies. Ky proces duhet të udhëhiqet nga mësimdhënës me përvojë, kompetencë të dëshmuar profesionale dhe rezultate të larta në punën e tyre, të cilët duhet të përzgjidhen mbi bazën e kritereve të qarta dhe transparente.

Mentorimi nuk duhet të kuptohet si një procedurë administrative për përmbushjen e një kërkese formale, por si një proces i vazhdueshëm zhvillimi profesional, përmes të cilit mësimdhënësi i ri mbështetet në planifikimin e mësimit, menaxhimin e klasës, përdorimin e metodave bashkëkohore, vlerësimin e nxënësve, bashkëpunimin me kolegët dhe përfshirjen në kulturën profesionale të shkollës.

Programet e mentorimit duhet të kenë objektiva të qarta, kohëzgjatje të përcaktuar dhe mekanizma për monitorimin e progresit, në mënyrë që të vlerësohet ndikimi i tyre në zhvillimin e kompetencave të mësimdhënësve të rinj. Institucionet arsimore duhet të krijojnë kushte që mentorët të kenë kohë, mbështetje dhe vlerësim për rolin e tyre, sepse ndërtimi i një brezi të ri mësimdhënësish cilësorë kërkon investim të qëndrueshëm dhe mbështetje profesionale që nga fillimi i karrierës.

Një sistem i mirëfilltë mentorimi kontribuon në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, ul pasigurinë e mësimdhënësve të rinj, forcon bashkëpunimin profesional në shkolla dhe krijon një kulturë të të nxënit të vazhdueshëm brenda komunitetit arsimor.

  1. Sistem modern dhe zhvillimor për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve

Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve dhe drejtuesve të shkollave duhet të jetë një proces profesional, objektiv dhe zhvillimor, që synon përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe jo vetëm ushtrimin e kontrollit administrativ. Ai duhet të bazohet në tregues të qartë dhe të matshëm, si cilësia e mësimdhënies, progresi i nxënësve në raport me nivelin e tyre fillestar, përdorimi i metodave bashkëkohore të mësimdhënies, integrimi i teknologjisë, inovacioni pedagogjik, krijimi i një mjedisi gjithëpërfshirës, bashkëpunimi profesional me kolegët, prindërit dhe komunitetin, si dhe angazhimi për zhvillim të vazhdueshëm profesional. Procesi i vlerësimit duhet të shoqërohet me rekomandime konkrete për përmirësim, mentorim dhe mundësi zhvillimi profesional, duke shmangur formalizmin, burokracinë e panevojshme dhe trajtimin e tij si një procedurë thjesht administrative. Një sistem i besueshëm i vlerësimit duhet të shërbejë si mekanizëm për motivimin, mbështetjen dhe avancimin profesional të stafit arsimor, duke promovuar kulturën e llogaridhënies dhe përmirësimit të vazhdueshëm.

  1. Zhvillim profesional i vazhdueshëm dhe me ndikim në praktikë

Zhvillimi profesional i mësimdhënësve duhet të jetë një proces i vazhdueshëm dhe i planifikuar gjatë gjithë karrierës së tyre, i orientuar drejt përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies dhe rezultateve të nxënësve. Për këtë arsye, çdo Drejtori Komunale e Arsimit duhet të hartojë dhe zbatojë një Plan Vjetor të Zhvillimit Profesional, të bazuar në analizën e nevojave reale të shkollave, rezultatet e vlerësimit të performancës dhe prioritetet e zhvillimit të sistemit arsimor. Programet e trajnimit duhet të kenë përmbajtje praktike, të lidhen drejtpërdrejt me sfidat e punës në klasë dhe të zhvillohen nga trajnerë me kompetencë të dëshmuar profesionale dhe përvojë relevante. Përzgjedhja e pjesëmarrësve duhet të jetë transparente, e drejtë dhe gjithëpërfshirëse, duke garantuar mundësi të barabarta për mësimdhënësit e të gjitha shkollave, pa dallime apo favorizime. Trajnimet nuk duhet të organizohen vetëm për përmbushje formale të detyrimeve institucionale, por të shoqërohen me mekanizma të qartë për vlerësimin e cilësisë së tyre, zbatimin e njohurive të fituara në praktikën mësimore dhe ndikimin e tyre në përmirësimin e rezultateve të nxënësve.

  1. Digjitalizimi i plotë i administrimit dhe menaxhimit shkollor

Administrimi i shkollave duhet të mbështetet në sisteme të integruara digjitale që thjeshtojnë procedurat administrative, reduktojnë burokracinë dhe rrisin efikasitetin institucional. Digjitalizimi duhet t’u mundësojë drejtuesve dhe mësimdhënësve të përqendrohen më shumë në procesin mësimor dhe zhvillimin e nxënësve, sesa në ngarkesat administrative.

  1. Biblioteka dhe laboratorë funksionalë në çdo shkollë

Çdo shkollë duhet të disponojë biblioteka dhe laboratorë modernë, të pajisur dhe plotësisht funksionalë, si pjesë integrale e procesit mësimor. Këto ambiente nuk duhet të shërbejnë vetëm si inventar fizik, por si qendra aktive të leximit, kërkimit, eksperimentimit dhe zhvillimit të kompetencave të nxënësve.

  1. Reformim i kurrikulës me fokus në kompetenca dhe cilësi

Kurrikula nuk duhet të jetë vetëm një dokument ambicioz në letër, por një instrument real dhe i zbatueshëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit. Për këtë arsye, Kurrikula e Kosovës duhet t’i nënshtrohet një rishikimi periodik, të bazuar në analiza profesionale, në përvojën e fituar nga zbatimi i saj në shkolla dhe në nevojat reale të sistemit arsimor të vendit. Çdo rishikim duhet të synojë përafrimin e objektivave kurrikulare me kushtet konkrete të shkollave, duke ruajtur standardet bashkëkohore të arsimit dhe njëkohësisht duke garantuar zbatueshmërinë e tyre në praktikë. Përmbajtjet mësimore duhet të jenë të qarta, të realizueshme dhe të orientuara drejt zhvillimit të kompetencave kyçe, si të menduarit kritik, kreativiteti, bashkëpunimi, zgjidhja e problemeve dhe përdorimi praktik i dijes.

Zbatimi i suksesshëm i kurrikulës kërkon mbështetje të plotë institucionale. Shkollat duhet të pajisen me tekste cilësore, materiale didaktike, laboratorë, teknologji dhe burime të tjera mësimore që mundësojnë realizimin e kërkesave kurrikulare. Po ashtu, duhet të krijohen kushte që mësimdhënësit e së njëjtës fushë kurrikulare të kenë kohë dhe mekanizma të rregullt për planifikim të përbashkët, koordinim profesional dhe shkëmbim të përvojave, pasi bashkëpunimi ndërmjet tyre është një parakusht për zbatimin efektiv të kurrikulës. Trajnimet për zbatimin e saj duhet të jenë praktike, të vazhdueshme dhe të përshtatura me sfidat reale të mësimdhënies. Pa këto kushte, edhe kurrikula më cilësore mbetet një dokument formal, ndërsa zbatimi i saj vazhdon të jetë i pjesshëm, i pabarabartë dhe larg rezultateve që synohen.

  1. Modernizimi dhe digjitalizimi i testimit kombëtar

Sistemi i testimit kombëtar duhet të modernizohet përmes përdorimit të platformave digjitale, bankave të sigurta të pyetjeve, analizës automatike të rezultateve dhe mekanizmave bashkëkohorë që garantojnë sigurinë, transparencën dhe integritetin e procesit të testimit. Organizimi dhe administrimi i testeve duhet të mbështeten në standarde të larta profesionale, duke minimizuar mundësitë për rrjedhje të testeve, kopjim, manipulim të rezultateve apo çdo formë tjetër që cenon besueshmërinë e procesit. Paralelisht, duhet të forcohen mekanizmat e mbikëqyrjes, përgjegjësisë dhe llogaridhënies për të gjithë aktorët e përfshirë në organizimin dhe administrimin e testimeve kombëtare.

Qëllimi i testimit kombëtar nuk duhet të jetë vetëm matja e arritjeve të nxënësve, por edhe vlerësimi objektiv i funksionimit të sistemit arsimor. Rezultatet duhet të analizohen në mënyrë profesionale dhe të përdoren për identifikimin e pikave të forta dhe dobësive në nivel shkolle, komune dhe shteti, si bazë për hartimin e politikave arsimore, përmirësimin e kurrikulës, planifikimin e zhvillimit profesional të mësimdhënësve dhe orientimin e investimeve në arsim. Vetëm rezultate të besueshme dhe të fituara në një proces të drejtë mund të shërbejnë si bazë për vendimmarrje të përgjegjshme dhe reforma të qëndrueshme. Integriteti i testimit kombëtar është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë rezultatet, sepse vetëm një proces i ndershëm mund të prodhojë të dhëna të sakta për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së arsimit.

  1. Sistem kombëtar për sigurimin dhe monitorimin e cilësisë në arsim

Vendimmarrja në arsim duhet të mbështetet në një sistem të qëndrueshëm dhe të integruar të mbledhjes, analizës dhe përdorimit të të dhënave mbi performancën e shkollave, rezultatet e nxënësve, cilësinë e mësimdhënies dhe treguesit kryesorë të zhvillimit të sistemit arsimor. Të dhënat duhet të jenë të sakta, të besueshme, të krahasueshme dhe të përditësuara rregullisht, duke u shndërruar në bazën kryesore për planifikimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave arsimore në nivel shkolle, komune dhe shteti.

Hartimi i politikave arsimore nuk duhet të mbështetet në perceptime, presione të momentit apo vendime afatshkurtra, por në evidencë të verifikueshme, analiza profesionale dhe vlerësim të vazhdueshëm të rezultateve. Çdo reformë e re duhet të paraprihet nga analiza e gjendjes reale dhe të pasohet nga vlerësimi sistematik i ndikimit të saj, në mënyrë që vendimmarrja të mbështetet në rezultate konkrete dhe jo në supozime. Për këtë qëllim, institucionet përgjegjëse duhet të zhvillojnë mekanizma të rregullt për monitorimin e cilësisë së arsimit, publikimin transparent të të dhënave dhe përdorimin e tyre për identifikimin e sfidave, matjen e efektivitetit të reformave dhe planifikimin e ndërhyrjeve të reja. Vetëm një kulturë institucionale e bazuar në evidencë, transparencë dhe llogaridhënie mund të garantojë përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë së arsimit dhe ndërtimin e politikave të qëndrueshme, të cilat u përgjigjen nevojave reale të shkollave, mësimdhënësve dhe nxënësve.

  1. Rritje graduale dhe e qëndrueshme e investimeve në arsim

Investimi në arsim duhet të trajtohet si prioritet strategjik i shtetit dhe jo si një shpenzim i zakonshëm buxhetor. Arsimi është investimi më i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të vendit, pasi cilësia e kapitalit njerëzor përcakton edhe aftësinë konkurruese dhe mirëqenien e shoqërisë në të ardhmen. Për këtë arsye, financimi i arsimit duhet të planifikohet në mënyrë afatgjatë dhe të qëndrueshme, me synimin për t’iu afruar standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe për të siguruar një sistem arsimor cilësor e gjithëpërfshirës.

Rritja e investimeve duhet të shoqërohet me përdorim efikas, transparent dhe të përgjegjshëm të fondeve publike, duke u orientuar drejt përmirësimit të infrastrukturës shkollore, pajisjes me teknologji dhe mjete bashkëkohore të mësimdhënies, sigurimit të materialeve didaktike, zhvillimit profesional të mësimdhënësve, mbështetjes së nxënësve dhe krijimit të kushteve të barabarta për të gjitha shkollat, pavarësisht madhësisë apo vendndodhjes së tyre. Vetëm përmes investimeve të mjaftueshme dhe të menaxhuara mirë mund të ndërtohet një sistem arsimor që u përgjigjet sfidave të kohës dhe nevojave të zhvillimit të Kosovës.

  1. Rikthimi i dinjitetit dhe prestigjit të profesionit të mësuesit

Cilësia e një sistemi arsimor nuk mund të jetë më e lartë se cilësia, profesionalizmi dhe motivimi i mësimdhënësve të tij. Për këtë arsye, politikat arsimore duhet të synojnë forcimin e pozitës profesionale dhe shoqërore të mësimdhënësit, duke e trajtuar atë si faktor kyç të zhvillimit të shoqërisë dhe jo vetëm si zbatues të programeve mësimore. Përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i një sistemi të drejtë të pagave, ulja e ngarkesës së panevojshme administrative, garantimi i sigurisë dhe dinjitetit në vendin e punës, si dhe krijimi i një mjedisi që mbështet inovacionin dhe bashkëpunimin profesional duhet të jenë objektiva të përhershme të politikave publike.

Njëkohësisht, duhet të ndërtohet një sistem i qartë dhe transparent i zhvillimit dhe avancimit në karrierë, i bazuar në meritë, kompetencë, performancë dhe angazhim profesional. Mësimdhënësit që arrijnë rezultate të larta, kontribuojnë në zhvillimin e shkollës dhe angazhohen në mënyrë të vazhdueshme për përmirësimin e praktikës së tyre profesionale duhet të kenë mundësi reale për avancim dhe të vlerësohen edhe përmes mekanizmave motivues, përfshirë shpërblimet profesionale dhe financiare. Vetëm një mësimdhënës i respektuar, i mbështetur dhe i motivuar mund të ndërtojë një shkollë cilësore dhe një sistem arsimor të aftë t’u përgjigjet sfidave të së ardhmes.

  1. Përafrimi i arsimit me tregun e punës

Sistemi arsimor duhet të ndërtojë partneritete të qëndrueshme me institucionet e arsimit të lartë, komunitetin e biznesit, sektorin privat dhe institucionet publike, në mënyrë që programet mësimore të pasqyrojnë nevojat reale të zhvillimit ekonomik, teknologjik dhe shoqëror të Kosovës. Bashkëpunimi ndërmjet këtyre aktorëve duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i institucionalizuar, duke mundësuar përditësimin periodik të programeve mësimore dhe përshtatjen e tyre me ndryshimet në tregun e punës dhe zhvillimet teknologjike.

Njëkohësisht, shkollat duhet të forcojnë orientimin në karrierë, edukimin për sipërmarrje, zhvillimin e kompetencave digjitale, të menduarit kritik, komunikimin, bashkëpunimin dhe zgjidhjen e problemeve, si kompetenca të domosdoshme për jetën dhe punësimin në shekullin XXI. Duhet të krijohen më shumë mundësi për mësim praktik, vizita studimore, praktika profesionale dhe projekte të përbashkëta me bizneset, institucionet publike dhe universitetet, në mënyrë që nxënësit dhe studentët të krijojnë përvojë konkrete dhe të njihen me kërkesat reale të tregut të punës.

Qëllimi i këtij partneriteti është që të rinjtë të pajisen jo vetëm me njohuri teorike, por edhe me kompetenca praktike, profesionale dhe ndërpersonale që u mundësojnë integrim të suksesshëm në tregun e punës, përshtatje me ndryshimet e vazhdueshme teknologjike dhe kontribut aktiv në zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kosovës. Një sistem arsimor që ecën në hap me nevojat e tregut të punës ul papunësinë e të rinjve, rrit konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe krijon kushte për zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

  1. Strategji kombëtare për fuqizimin e shkollave rurale

Shkollat rurale duhet të mbështeten përmes politikave të veçanta që garantojnë qasje të barabartë në arsim cilësor, teknologji, staf profesional, transport, infrastrukturë moderne dhe mundësi të barabarta për zhvillim institucional. Për shkak të karakteristikave të tyre demografike dhe gjeografike, ato nuk duhet të trajtohen me të njëjtat kritere financimi dhe organizimi si shkollat në zonat urbane, por të mbështeten me masa kompensuese që u mundësojnë të ofrojnë shërbime arsimore me standarde të njëjta cilësie. Investimet në shkollat rurale duhet të synojnë jo vetëm përmirësimin e kushteve fizike, por edhe sigurimin e mësimdhënësve të kualifikuar, pajisjen me mjete bashkëkohore të mësimdhënies dhe krijimin e mundësive të barabarta për pjesëmarrje në programe zhvillimore, projekte dhe aktivitete edukative. Vendbanimi nuk duhet të përcaktojë cilësinë e arsimit që merr një fëmijë. Çdo nxënës, pavarësisht nëse jeton në qytet apo në fshat, duhet të ketë të drejtë dhe mundësi reale për të përfituar një arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë.

  1. Pakt Kombëtar për Arsimin

Arsimi duhet të trajtohet si interes strategjik kombëtar dhe të mbrohet nga ndikimet dhe ndryshimet e shpeshta politike. Politikat dhe reformat arsimore nuk duhet të varen nga ciklet zgjedhore apo ndryshimet e qeverive, por të ndërtohen mbi një vizion afatgjatë për zhvillimin e vendit. Për këtë arsye, reformat themelore duhet të hartohen dhe të zbatohen mbi bazën e një konsensusi të gjerë ndërmjet institucioneve shtetërore, komunitetit profesional, universiteteve, mësimdhënësve, prindërve, nxënësve, shoqërisë civile dhe partnerëve të tjerë relevantë.

Çdo reformë duhet të mbështetet në analiza profesionale, evidencë të besueshme dhe konsultim të gjerë publik, duke garantuar vazhdimësi, stabilitet dhe përgjegjësi institucionale në zbatimin e saj. Arsimi nuk duhet të jetë fushë e eksperimenteve të përkohshme apo e interesave politike, por një prioritet kombëtar që ndërtohet me përgjegjësi dhe vizion për brezat e ardhshëm. Vetëm një strategji e qëndrueshme, e mbështetur nga të gjitha forcat institucionale dhe shoqërore, mund ta shndërrojë arsimin në motor të zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe demokratik të Republikës së Kosovës. Investimi në arsim është investim në të ardhmen e vendit, ndërsa stabiliteti i politikave arsimore është kushti themelor për ndërtimin e një sistemi cilësor, të drejtë dhe konkurrues.

________________________________________________________________

Përmbyllje

Këto njëzet reforma nuk janë ide të panjohura. Shumë prej tyre janë diskutuar ndër vite në strategji, raporte, dokumente zyrtare dhe analiza profesionale. Ajo që ka munguar nuk ka qenë vizioni apo njohja e problemeve. Ka munguar vendosmëria për t’i zbatuar ato në mënyrë të qëndrueshme, me përgjegjësi institucionale dhe përtej interesave afatshkurtra.

Një sistem arsimor nuk transformohet me deklarata politike, as me reforma që ndryshojnë sa herë ndryshojnë mandatet qeverisëse. Ai ndërtohet me politika afatgjata, institucione të besueshme, lidership profesional, mësimdhënës të motivuar dhe besim të ndërsjellë ndërmjet shkollës, familjes dhe shoqërisë. Çdo vit që humbet pa reforma nuk është thjesht një statistikë e pafavorshme; është një vit më pak në formimin e një brezi të tërë. Dhe koha e humbur në arsim nuk rikuperohet kurrë plotësisht.

Prandaj, sfida nuk është të gjejmë zgjidhje të reja. Shumicën prej tyre tashmë i njohim. Sfida e vërtetë është të kemi guximin, përgjegjësinë dhe vullnetin për t’i zbatuar. Sepse reformat në arsim nuk maten nga numri i dokumenteve që hartohen, por nga ndryshimet reale që sjellin në jetën e nxënësve, të mësimdhënësve dhe të shkollave.

Në fund të fundit, investimi më i rëndësishëm që një shtet mund të bëjë nuk është ai që ndërton vetëm infrastrukturë, por ai që ndërton dije, karakter dhe qytetarë të përgjegjshëm. Vetëm atëherë arsimi nuk do të jetë thjesht një prioritet i deklaruar në dokumente, por themeli mbi të cilin ndërtohet zhvillimi i qëndrueshëm, demokracia dhe e ardhmja e Republikës së Kosovës.

Ky manifest nuk synon ta përmbyllë debatin për arsimin. Përkundrazi, ai synon ta nxisë atë. Sepse ndryshimi fillon atëherë kur shoqëria pranon se arsimi nuk është përgjegjësi vetëm e institucioneve arsimore, por një mision i përbashkët kombëtar.

Në pjesën përmbyllëse, pasnesër, mund të lexoni

“ Arsimi nuk ka nevojë për mëshirë, por për vision”

Në pjesën e fundit do të rikthehemi te pyetja që përshkon të gjithë këtë fejton: çfarë shteti dëshirojmë t’u lëmë brezave që vijnë? Do të përmbledhim sfidat, përgjegjësitë dhe zgjidhjet, për të dëshmuar se reforma në arsim nuk është zgjedhje politike, por domosdoshmëri kombëtare.

(Vijon…)