Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas mbylljes së fabrikës vendore “Vita”, duke e cilësuar këtë veprim si një goditje të rëndë ndaj prodhimit vendor dhe qytetarëve që sigurojnë jetesën nga puna e tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lushaku-Sadriu ka akuzuar Qeverinë për, siç është shprehur ajo, “patriotizëm të rrejshëm” në raport me mbështetjen e prodhimeve vendore.
“Sot u lanë pa punë qytetarët e Kosovës duke ua goditur familjet që jetojnë nga djersa e tyre”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se në vend po qeveriset me “pushtet absolut njëpartiak” dhe “inspektorë partiakë”.
Sipas deputetes së zgjedhur të LDK-së, subjektet që kishin ardhur në pushtet me premtimin për mbështetje të prodhuesve vendorë, tashmë po veprojnë në drejtim të kundërt.
“Ata që erdhën në pushtet duke u thirrur në mbështetje të prodhuesve vendorë, sot mbyllën fabrikën vendore ‘Vita’ dhe i shpallën drejtpërdrejt luftë prodhimit vendor”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.
Ajo e ka përmbyllur reagimin duke vlerësuar se kjo nuk përfaqëson patriotizëm, por, sipas saj, “përparësi për prodhimet e huaja” dhe një goditje ndaj qytetarëve dhe bizneseve vendore.








