Lushaku-Sadriu kërkon përgjigje nga LVV: A i keni 66 vota për Vjosa Osmanin?

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka përsëritur pyetjen ndaj partisë në pushtet, nëse kanë 66 vota për Vjosa Osmanin për presidente.

Ajo e ka quajtur seancën e sotme si një show propagandistik, për të cilën thotë se pa një përgjigje të qartë për këtë pyetje, çdo diskutim tjetër mbetet i paplotë dhe i pamjaftueshëm për zgjidhjen e situatës institucionale.

“Dy orë diskutime në një seancë që i ngjante më shumë një platforme partiake sesa një procesi institucional. Asnjë trajtim, asnjë fjalë, asnjë qëndrim për propozimin tonë: çështjen e vetme thelbësore, pra zgjidhjen konkrete për President.
Pyetja mbetet e njëjtë, e drejtpërdrejtë dhe e domosdoshme:
A i keni 66 vota për propozimin tonë?
Pa një përgjigje të qartë për këtë pyetje, çdo diskutim tjetër mbetet i paplotë dhe i pamjaftueshëm për zgjidhjen e situatës institucionale. Mbetet veçse një show propagandistik”, shkruan ajo.