Njësitet Antikontrabande te Doganës së Kosovës, gjatë aktiviteteve operative në rajonin e Ferizajt, për parandalimin e kontrabandës, kanë identifikuar dhe ndaluar një automjet të dyshimtë, i cili dyshohej se vinte nga vija e gjelbër kufitare.
Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët doganorë raportohet se kanë hasur në një sasi të konsiderueshme të mallrave pa dokumentacion përcjellës për prejardhjen e tyre.
Pas numërimit dhe verifikimit të mallit, Dogana përmes njoftimit zyrtar ka bërë të ditur se janë evidentuar gjithsej 2.324 artikuj, përkatësisht 654 çanta dhe 1.670 kuleta të markave të ndryshme të njohura ndërkombëtare, për të cilat ekziston dyshimi për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Sipas vlerësimit fillestar, vlera e përafërt e mallit të ndaluar është rreth 9.500 euro.
“Malli është ndaluar dhe vendosur nën mbikëqyrje doganore, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga njësitë kompetente të Doganës së Kosovës në përputhje me procedurat ligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.







