Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e zgjedhjes së presidentit.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu tha sot para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës se LDK-ja nuk bëhet pjesë e një seance ku “ka propozime partiake” për presidentin.
“Ne shkojmë vetëm për t’i dhënë vendit një president, ashtu siç e parashikon Kushtetuta e Kosovës, e jo një zgjatim të partisë së madhe e cila tenton t’i kapë të gjitha institucionet kyçe. Nuk i takon qeveria dhe presidenca të njëjtës parti. Kushtetuta i sheh këto dy të dyja si fuqi ekzekutive ku do të shprehet balanca në mes të partive politike”, tha Lushaku-Sadriu.
“Presidenti paraqet unifikim; paraqet përfaqësimin e më shumë se 60 deputetëve – d.m.th i kërkon 80 deputetë”, tha ajo.
Partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se nëse nuk arrihet koncensus i gjerë për zgjedhjen e presidentit, do të thërrasë seancë për presidentin me Glauk Konjufcën si kandidat dhe Fatmie Kollçaku-Mulhaxhën si kundërkandidate të tij.









