Lëvizja për Bashkim (LB) konsideron se që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi, e veçanërisht kohëve të fundit, partitë politike në Kosovë kanë qenë të çorientuara në lidhje me dialogun me Serbinë.
Në një komunikatë për media të këtij subjekti politik, thuhet se Qeveria e re përmes dokumentit të publikuar rishtazi, i cili as për së afërmi nuk është një platformë, nuk ka bërë tjetër vetëm se e ka ricikluar konceptin e vjetër të bisedimeve, thelbi i të cilave është: kompromise ndaj pakicës serbe në favor të integrimeve ndërkombëtare. Kjo qasje ndaj bisedimeve jo vetëm që nuk ka zgjidhur asgjë, por ka shkuar duke i komplikuar e duke i vështirësuar gjërat.
“Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje që nga fillimi nuk e ka pasur të qartë se çka vërtet i duhet Kosovës të bëjë në këto bisedime. LVV fillimisht ka dalë me qëndrimin kategorik kundër bisedimeve, me sloganin “Jo negociata, vetëvendosje!”, pastaj me 10 kushtet për bisedime, më vonë me konceptin se nuk duhet të bisedojmë me Serbinë, por vetëm me serbët e Kosovës dhe së fundi me tri faza paraprake për bisedime me Serbinë, e që çuditërisht njëra nga fazat parasheh edhe zbatueshmërinë e marrëveshjeve të deritanishme”, thekson LB.
E gjithë kjo tregon qartazi se partitë politike të Kosovës duhet të reflektojnë thellë në lidhje me këtë çështje. Ato duhet doemos të ulen e ta hartojnë një platformë të përbashkët politike për këto bisedime, në qendër të së cilës do të duhej të ishte reciprociteti në të drejta në mes të shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe serbëve që jetojnë në Kosovë, si rregullatori më i mirë i raporteve ndërshtetërore.