Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga homologu i tij armen, Nikol Pashinyan.
Sipas njoftimit për media nga Zyra e Kryeministrit, në takim Kurti shprehu falënderim për kontributin e forcave të armatosura armene në kuadër të KFOR-it, Qeverinë Armene për bashkëpunimin gjithnjë në rritje, si dhe ftesën për pjesëmarrje në Konferencën Ndërkombëtare “Yerevan Dialogue”.
“Bashkëbisedimi u përqendrua në mundësitë konkrete për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Armenisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, investime dhe tregti, si dhe në ndërtimin e urave të qëndrueshme përmes shkëmbimeve akademike dhe kulturore.”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se Kurti falënderoi Pashinyan për mikpritjen, duke vlerësuar se paqja në kontinentin evropian dhe përtej, ka nevojë për aleancën e demokracive.









