Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka zhvilluar takime të ndara me krerët e PDK-së dhe të LDK-së, në kuadër të konsultimeve për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për legjislaturën e njëmbëdhjetë.
Përmes një postimi, Kurti tha se është ende herët për të folur për rezultate konkrete nga këto takime, por u shpreh optimist për vazhdimin e procesit.
“Është ende herët të flasim për rezultate konkrete, por mbetemi optimist për rrugën përpara. Fryma konstruktive përgjatë bisedimeve njëmend nuk paraqet marrëveshje e garanci për sukses, por meqenëse jemi veçse te takimi i parë pas certifikimit të rezultatit kemi shpresë për avancim në vijim”, ka deklaruar ai.
Sipas Kurtit, konsultimet synojnë funksionalizimin e institucioneve të reja në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve dhe vullnetin e qytetarëve.
“Jemi të angazhuar dhe të përkushtuar që vullnetin e shprehur të popullit ta jetësojmë me institucione të reja e funksionale, që punojnë për të mirën e qytetarëve dhe Republikës”, ka theksuar Kurti.








