Krasniqi: Byroja për konfiskimin e pasurisë po shndërrohet në rrjet politik

Rrezarta Krasniqi nga LDK përmes një postimi në “Facebook”, ka reaguar ndaj nismës për krijimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po prezantohet dhe funksionon kjo iniciativë.

Ajo ka deklaruar se kjo byro po shitet si “luftë kundër korrupsionit”, por sipas saj, në realitet po merr formë tjetër, atë të përndjekjes politike dhe kapjes së shtetit.

Krasniqi ka theksuar se krijimi i institucioneve për të sistemuar militantë partiakë nuk përbën reformë, por përkundrazi paraqet degradim të demokracisë.

Ajo ka shtuar se konfiskimi i pasurisë së paligjshme duhet të bëhet pa kompromis, por jo me standarde të dyfishta dhe jo në funksion të interesave të një partie apo militantëve të saj.

“Drejtësia nuk mund të jetë vegël e pushtetit”, ka deklaruar ajo, duke e cilësuar këtë nismë si rrezik për demokracinë dhe si një mënyrë për rehatimin e militantëve partiakë.