Ish-Kryetari i LKÇK-së dhe ndihmës Komandant i Zonës Operative të Shalës në kohën e UÇK-së, z. Sabit Gashi ka reaguar lidhur me zhvillimet aktuale politike.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi thotë se me vet-eliminimin e Sali Berishës dhe bashkë me të edhe sozisë politike të tij, Ilir Metës, nga skena politike, kombi shqiptar po fiton oksigjen për të ecur drejt bashkimit kombëtar.
Ai thotë edhe se kombit shqiptar po i buzëqesh fati si rrallë herë në histori dhe nuk ka ego primitive dhe interes partiak që mund ta ngrijë këtë buzëqeshje.
Postimi i plotë i tij:
Me vet-eliminimin e Sali Berishës dhe bashkë me të, pak më vonë, edhe të sozisë politike të tij, Ilir Metës, nga skena politike shqiptare, Kombi Shqiptar po fiton oksigjenin e duhur për të ecur drejt Bashkimit Kombëtar.
Reforma në drejtësi në Shqipëri po udhëhiqet nga Amerika e cila krahas kësaj po e trason edhe rrugën e bashkimit kombëtar.
Bashkë me Saliun dhe Ilirin, do të dalin dalëngadalë nga skena edhe aleatët e tyre të rinj dhe të vjetër në Kosovë, që po mundohen të pengojnë me çdo formë dhe mjet implementimin e diskursit të ri amerikan.
Diskursi i ri amerikan do t’i presë shumë shpejt filizat e egoizmit fisnor të disa politikaneve fodullë të Kosovës, që po mundohen të forcojnë kufirin politik në mes Kosovës dhe Shqipërisë edhe me keq se sa armiqtë më të përbetuar të Kombit Shqiptar.
Kombit Shqiptar po i buzëqesh fati si rrallë here në histori dhe nuk ka ego primitive dhe interes partiak që mund ta ngrij këtë buzëqeshje.