Dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ky është gjyqtari që u arrestua sot

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, Avdirrahman Gashi, është personi i arrestuar sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Arrestimi i tij është bërë gjatë një aksioni të zhvilluar nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës.

Prokuroria Speciale njoftoi sot se ka ndërmarrë veprime hetimore që kanë rezultuar me arrestimin e një gjyqtari të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke bërë të ditur se ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.

Hetimi ndaj tij, sipas Prokurorisë Speciale, është zhvilluar në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme gjatë një periudhe disa mujore.

Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara gjatë hetimit, Prokuroria ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e tij në veprën penale për të cilën është arrestuar. /

Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Arrestohet gjyqtari i Themelores, dyshohet për keqpërdorim të detyrës