Eksperti i sigurisë, Drizan Shala komentoi arrestimin e fundit të të dyshuarit për “Spiunazh”, Fehim Sali, i cili u ndalua të enjten nga autoritetet nën dyshimin e bazuar për spiunazh për BIA-n serbe.
Shala tha se i njëjti ishte pjesë e komunitetit goran dhe merrte pjesë në aktivete të avancimit të komuniteteve joshumicë në Kosovë.
“Këtu është një komitet i formësuar në kuptimin për të avancuar pozicionin e komuniteteve jo shqiptare në Kosovë ku bën pjesë edhe komuniteti goran. Nuk jemi për të komentuar kush me kë po fotografohet, esenca është si ka mundur të mbijetojë aktiviteti i tij në periudha të caktuara kohore”.
Shala shtoi se i dyshuari kishte për detyrë të identifikonte operatorët e AKI-së.
“Prokurori i rastit, i cili e dha një prononcim të qartë që është një hetim që e kalon një vit përmes formave të ndryshme operative të organizuara nga dy mekanizmat e sigurisë, atë policor dhe AKI-së. Pra, më pastaj janë mbledhur dhe është krijuar dyshimi i bazuar faktik i argumentuar që personi në fjalë vepron qoftë si pikë operative apo si punkt operativ… Është një çështje interesante, ka pasur për detyrë të identifikojë operatorët të AKI-së, njëra nga fushëveprimet, por është interesante kush është ky që ka pasur qasje në informacionet e operatorëve potencialë”, tha ai.









