Kosova e kërkonte në përfaqësuese, Haxhija i Anderlehtit zgjedh Shqipërinë
Blendi Haxhija e ka bërë zgjedhjen e tij, sa i përket Kombëtares që do të përfaqësojë në të ardhmen. Për futbollistin që luan me Anderlehtin U-19, pati një interesim të madh edhe nga Kosova, për të marrë tek të rinjtë e përfaqësueses.
Gjithsesi zgjedhja e djaloshit ishte Shqipëria. Ai është paraqitur në grumbullimin që kuqezinjtë U-19 kanë bërë së fundmi. Madje në ditën e djeshme, është luajtur edhe një takim miqësor ndaj Erzenit, i mbyllur në barazimin 2-2.
Haxhija luan në rolin e qendërmbrojtësit, duke qenë një tjetër emër për t’u mbajtur shënim për të ardhmen. Duke parë ekipin ku po rritet dhe kushtet që ka për t’u zhvilluar, përkushtimi i madh e puna do të bënte që futbollisti në fjalë të prekte dhe arenat më të mëdha europiane. Por deri atëherë, kërkohet që koha të punojë në favorin e tij, për njeriun që mban edhe shiritin tek të rinjtë e Anderlehtit.