Konstituimi i Kuvendit drejt dështimit edhe nesër, Kurti nuk shfaq shenja tërheqjeje nga emri i Haxhiut

Tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Kuvendi i Kosovës vijon të mbetet i pakonstituuar tash e gati një muaj. Për partitë e tjera, epiqendra e ngërçit buron nga këmbëngulja e Lëvizjes Vetëvendosje për të imponuar Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit, pavarësisht dështimit për të siguruar votat e nevojshme.

Nga ana tjetër, nga mbledhja e 58-të e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk shfaqi as më të voglën shenjë për të rishqyrtuar qëndrimin e tyre në lidhje me kandidaturën e Albulena Haxhiut për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Konstituimi i Kuvendit është i qartë dhe depolitizuar. Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese.” – tha ai.

Duke u mbështetur në një lexim strikt formal të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kurti përsëriti se e drejta për të propozuar dhe emëruar kryetarin e Kuvendit i takon ekskluzivisht partisë fituese të zgjedhjeve.

Ai tha se për këtë nuk ka nevojë për bashkëpunim megjithëse ky arsyetim has në kontradiktë pasi koalicioni Vetëvendosje-Guxo-Alternativa nuk i kanë numrat e nevojshëm për të votuar kandidatin e tyre.

“S’kërkohet koalicion. Duke e intepretuar ashtu siç e ka interpretuar, Gjykata e ka depolitizuar seancën konstituive, duke e kthyer atë në një formalitet procedural. Pra nuk ka nevojë për koalicione e kalkulime në këtë hap konstituiv. Ajo çka opozita po bën, është bllokadë e panevojshme që ndoshta synon të krijoj imazhin e një Kosove në krizë.” – tha Kurti.

Kurti refuzoi idenë e negociatave për këtë fazë në lidhje me pakënaqësitë e tyre rreth emrit të propozuar, duke insistuar se votimi për kryetaren e Kuvendit nuk është një çështje politike.

“Ne nuk po i kërkojmë opozitës ta votoj qeverinë, por kryetaren e Parlamentit. Zgjedhja e qeverisë është politike dhe nuk kemi propozuar për konstituim të Kuvendit thjesht një emër, kemi propozuar një kandidate grua e cila është njëherit edhe gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit. Disa thonë ‘dikë tjetër por jo Albulena Haxhiun’, disa tjerë thonë ‘pranojmë vetëm këtë apo atë emër’ e disa të tjerë thonë ‘askënd nga Lëvizja Vetëvendosje’, por propozimi është i yni, jo i tyre. Ne nuk po kërkojmë që Albulena të jetë propozimi i tyre dhe Kuvendi konstituohet kur të votohen edhe pesë nënkryetarët.” – tha ai.

Madje, bllokadën aktuale për të cilën po raportojnë edhe mediat ndërkombëtare, Kurti s’e sheh si të tillë nga ana Vetëvendosjes, duke akuzuar partitë e tjera: “Ne s’jemi bllokuar, sepse kemi propozuar kandidatin tonë. E kemi bërë në fillim menjëherë. Bllokimi vjen prej atyre që votojnë kundër apo ata që s’votojnë fare”, ka deklaruar Kurti.