Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Serbia vazhdon të paraqesë rrezik për stabilitetin e Ballkanit dhe Evropës.
Konjufca kritikoi po ashtu Bashkimin Evropian për, siç u shpreh, qasje tepër tolerante ndaj politikës së Serbisë.
Sipas tij, një qasje e tillë mund ta ketë inkurajuar Beogradin që të vazhdojë me të njëjtën politikë, raporton .
“Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane. Deklarata e ministres serbe se po të ishte në vend të Milosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën sërish, është një deklaratë që duhet ta marrim seriozisht jo vetëm si shtet i Kosovës, por duhet të merret po aq me vëmendje dhe me seriozitet edhe nga aleatët tanë ndërkombëtarë, që kanë investuar dhe investojnë në sigurinë dhe në paqen e rajonit tonë. Qëndrimet tolerante të Bashkimit Evropian ndaj pozicioneve të tilla të Serbisë e kanë inkurajuar vetë Serbinë”, tha ai.
Ai foli edhe për pozicionimin e Kosovës në zhvillimet ndërkombëtare, duke thënë se Prishtina ka qenë në linjë me aleatët perëndimorë për çështjet e sigurisë.
Konjufca tha se Kosova ka mbështetur Ukrainën përballë agresionit rus dhe ka përkrahur sanksionet e vendosura ndaj Moskës nga vendet perëndimore.
“Rrethanat e trazuara globale të viteve të fundit kanë dëshmuar se Republika e Kosovës, si shtet sovran, dhe i pavarur, ka qëndruar e palëkundur në mbështetjen e aleancës perëndimore për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës kundrejt agresionit të Rusisë dhe i ka mbështetur të gjitha masat sanksionuese që aleanca perëndimore ia ka vendosur Federatës Ruse. Po ashtu, Republika e Kosovës qëndron përkrah aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjen e tyre për të ndërtuar paqen në Lindjen e Mesme”, tha mes tjerash Konjufca./







