Konfirmohet raportimi i Paparacit: Qeveria kërkon sqarime për kredinë 100 milionëshe të Pacollit

Qeveria shqiptare ka ngritur zyrtarisht dyshime se Aeroporti i Vlorës mund të jetë ngarkuar me detyrime financiare nga kredia 100 milionë euro e lidhur mes kompanisë Mabco Constructions të biznesmenit Behgjet Pacolli dhe fondit Delphos Securities.

Dyshimet e ngritura nga ekzekutivi shqiptar dëshmojnë raportimet e mëhershme të Paparacit për skemën e dyshimtë financiare Mabco-Delphos.

Në një shkresë zyrtare drejtuar Mabco-s, të cilën e publikoi sot portali Kapitali.al, ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, konstaton se disa dispozita të amendimit të marrëveshjes së huasë nuk përputhen me mënyrën se si kompania ia kishte paraqitur më herët financimin autoriteteve shqiptare.

Sipas ministrisë, dokumentet e dorëzuara nga Mabco lënë të kuptohet se shoqëria koncesionare Vlora International Airport (VIA) mund të marrë statusin e “Huamarrësit Pasues”, ndërsa të ardhurat dhe llogaritë operative të projektit mund të administrohen sipas mekanizmave të përcaktuar në dokumentacionin e financimit.

Gjetjet dëshmojnë raportimin e Paparacit në fund të vitit të kaluar, i cili kishte ngritur dyshime se marrëveshja mes Mabco-s dhe Delphos përmbante klauzola që mund të transferonin barrë financiare mbi shoqërinë koncesionare dhe vetë Aeroportin e Vlorës.

Paparaci, raportoi se si Aeroporti i Vlorës ishte hipotekuar si garanci financiare mes kompanisë së Pacollit “Mabco Constructions S.A” dhe kompanisë “Delphos Securities Sarl”, për një kredi prej 100 milionë eurosh të marrë nga Pacolli më 26 mars të këtij viti.

Dokumenti i marrëveshjes, të cilin e publikoi mediumi, për financim mes “Mabco Construction S.A” dhe “Delphos Securities Sarl” tregon se Mabco do të marrë një kredi prej 100 milionë eurosh për financim.

Nëse Pacolli nuk arrin të shlyejë kredinë me interes fillestar 7.6%, thuhet në kontratë, atëherë Aeroporti i Vlorës do t’i kalojë nën kontroll ekonomik kompanisë “Delphos Securities Sarl”.

Për këtë arsye, qeveria shqiptare i ka kërkuar Mabco-s të saktësojë nëse janë ndërmarrë veprime për përfshirjen e VIA-s në marrëveshjen e kredisë.

Deri në përfundimin e verifikimeve, Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar që të mos ndërmerret asnjë veprim, nënshkrim apo ekzekutim dokumentesh që lidhen me marrëveshjen e financimit Mabco–Delphos, duke paralajmëruar se çdo veprim i tillë mund të përbëjë shkelje serioze të detyrimeve ligjore dhe kontraktore.

Ky është rasti i parë kur qeveria shqiptare shpreh zyrtarisht shqetësimin se kredia e marrë nga Mabco mund të ketë krijuar detyrime të drejtpërdrejta mbi projektin e Aeroportit të Vlorës.

Qeveria e Shqipërisë i kërkon llogari Pacollit! Dyshime se Aeroporti i Vlorës u la peng