I akuzuar për krim të organizuar, “stërnipi” i Hasan Prishtinës fiton rastin në Kushtetuese

Mehmet Prishtina ka dalë fitues i betejës që nisi rreth dy vjet më parë kur dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë të një procesi gjyqësor ndaj tij.

Gjykata Kushtetuese, në një aktgjykim të publikuar të mërkurën, ka konstatuar se të akuzuarit për krim të organizuar i janë shkelur dy të drejta të cilat i garantohen me Kushtetutë.

Biznesmeni i cili dyshohet se përvetësoi 36 milionë euro toka të shtetit në Prishtinë dhe Graçanicë, akuzohet për krim të organizuar e shpëlarje parash. Gjykimi për rastin në të cilin ai akuzohet bashkë me disa të tjerë, i nisur më 2016, nuk ka mbaruar ende.

Kalimi i më shumë se dhjetë viteve në rastin gjyqësor, pa një vendim nga gjykata, përbën kohëzgjatje “të vështirë për t’u justifikuar”, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Ashtu siç është sqaruar edhe në Aktgjykim, Gjykata konsideroi se pavarësisht kompleksitetit të rastit dhe natyrës së akuzave, kalimi i më shumë se dhjetë (10) viteve pa një vendim në shkallë të parë përbën një kohëzgjatje të konsiderueshme dhe të vështirë për t’u justifikuar”, tha Gjykata në aktgjykim, raporton Paparaci.

Rrjedhimisht, Gjykata ka konstatuar se biznesmenit i janë shkelur dy të drejta të garantuara me Kushtetutë: E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe e drejta për një proces të rregullt.

Në pikën e tretë të dispozitivit, është obliguar Gjykata Themelore në Prishtinë që të veprojë me prioritet në përfundimin e procedurës penale ndaj Prishtinës dhe “nxjerrjen e një aktgjykimi meritor”.

“Gjykata konstatoi se (i) në rrethanat e rastit konkret parashtruesit të kërkesës i është cenuar e drejta për gjykim brenda një afati të arsyeshëm kohor, të garantuar me  paragrafin 2 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe se (ii) Gjykata Themelore në Prishtinë duhet të veprojë me prioritet, në përfundimin e procedurës penale dhe nxjerrjen e aktgjykimit meritor”, thuhet në aktgjykim.

Prishtina është i akuzuar për dallavere me 36 hektarë tokë të shtetit në Prishtinë e Graçanicë. Ai është në proces të hapur gjyqësor së bashku me dhjetëra persona tjerë.

Mbi 36 hektarë tokë të shtetit e tjetërsuar në mënyrë të paligjshme, për të cilat dyshohet se rol kyç kishte luajtur Mehmet Prishtina, kishin përfunduar në pronësi të një grup biznesmenësh.

Këto toka që shtrihen në Çagllavicë, pasi janë përvetësuar me anë të mashtrimeve dhe vendimeve të kundërligjshme gjyqësore, janë blerë nga pronarë të rinj me çmime që shkojnë nga 36 cent deri në 10 euro për metër katrorë.

Çmimi më i lartë për një arë truall ka shkuar deri në 1 mijë euro, derisa çmimet reale në atë pjesë sillen nga 10 mijë deri në 20 mijë euro për një arë.

Aktakuza e ngritur më 2016 nga një prokuror i EULEX-it ndërlidhej me krim të organizuar, shpërdorim të pozitës zyrtare, shpëlarje parash, nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, falsifikim i dokumenteve zyrtare.

Përpos akuzave zyrtare, Mehmet Prishtina akuzohet edhe për prezantim të rrejshëm si stërnip i heroit Hasan Prishtina. Për këtë pretendim, ai kontestohet nga të afërm të Hasan Prishtinës në Polac të Skenderajt.