Menu Close

Këshilltari i Trendafilovës pranon se Kosova ka të drejtë ta ndryshojë ligjin për Specialen, por kundërshton nismën

Mohamed El Zeidy, këshilltar i lartë i kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, pranon se Kosova ka të drejtë ta ndryshojë ligjin për Dhomat e Specializuara, por në analizën e tij shpreh kundërshtime ndaj mënyrës se si institucionet e Kosovës po e ushtrojnë këtë të drejtë.

Në një analizë me titull “Will Kosovo Compromise its International Obligations? The Specialist Chambers and the New Amending Law”, El Zeidy jo vetëm që pranon se Kosova ka autoritetin për të ndryshuar legjislacionin e saj, por konstaton edhe se vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka shkaktuar reagime të fuqishme në vend.

Megjithatë, në vend që të fokusohet te pakënaqësia e qytetarëve dhe debatet që ka nxitur vendimi, këshilltari i Trendafilovës e vendos theksin te rreziku që, sipas tij, ndryshimet ligjore mund të paraqesin për raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Pranon se vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së shkaktoi reagime të fuqishme

El Zeidy rikujton aktgjykimin e 16 shtatorit 2026 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke theksuar se ai shkaktoi reagime të forta në Kosovë.

Sipas tij, reagimet lidhen me statusin e të akuzuarve dhe rolin e tyre në luftën për pavarësinë e Kosovës.

Ky konstatim vjen nga një zyrtar i lartë i strukturës së Gjykatës Speciale dhe përbën një pranim të rëndësishëm se vendimi nuk kaloi pa kundërshtime të forta në shoqërinë kosovare.

Katër ish-krerët e UÇK-së u liruan nga të gjitha akuzat për krime kundër njerëzimit, por u dënuan për katër pika të krimeve të luftës. Thaçi dhe Krasniqi morën nga 25 vjet burgim, Veseli 18 vjet, ndërsa Selimi 13 vjet.

Kosova ka të drejtë të ndryshojë ligjin, por El Zeidy paralajmëron kundër kësaj nisme

Një nga pikat më të rëndësishme të analizës është pranimi se Kosova ka të drejtë të ndryshojë ligjet e saj.

El Zeidy shkruan se Kosova është e autorizuar të ndërhyjë në legjislacionin vendor, por këmbëngul që kjo të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare.

Kundërshtimi i tij kryesor është se ndryshimet e propozuara nga PDK-ja janë ndërmarrë pa konsultime paraprake me Bashkimin Evropian. Sipas tij, kjo mund të krijojë probleme në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës.

Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi më 6 tetor 2026 synojnë kufizimin e kompetencave kohore dhe lëndore të Gjykatës Speciale, si dhe ndryshimin e disa kompetencave të mekanizmave të saj gjyqësorë.

Shkrimi i plotë: https://verfassungsblog.de/will-kosovo-compromise-its-international-obligations/

Related Posts