Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar sërish kërkesën e ish presidentit dhe kreut të PL-së, Ilir Meta për ndryshimin e masës së arrestit me burg dhe lirimin nga qelia.
Meta kishte ofruar sërish një garanci pasurore prej 50 mijë eurosh për të ndryshuar masën por gjykata e posaçme e refuzoi kërkesën.
Ndërkohë, sot në GJKKO mbahet edhe seanca e radhës në themel e gjyqit për dosjen në ngarkim të Metës dhe të pandehurve të tjerë.
Avokati Kujtim Cakrani hyri më herët brenda ambienteve të gjykatës së posaçme ndërsa u tha gazetarëve se shpreson që të kenë një lajm të mirë.
“Kemi zëvendësim e masës tani, më pas kemi të themelit. Kështu që shpresoj të kemi lajm të mirë, se iu kam edhe ca borxhe juve.”, tha më herët mbrojtësi ligjor i Metës.
PAK ka kundërshtuar kërkesën e paraqitur nga avokati i Metës për lirimin e tij, duke argumentuar se vendimi i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nuk sjell asgjë të re në këtë proces dhe nuk ndryshon rrethanat mbi të cilat është vendosur masa e sigurisë.
Prokuroria e Posaçme ka theksuar se nuk ekzistojnë kushte të reja që justifikojnë ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Metës.
“Vendimi i Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë nuk sjell asgjë të re në këtë proces. Mbrojtja nuk paraqiti asnjë provë për zëvendësimin e masës, për zbutjen e nevojave të sigurimit apo për dyshimin e arsyeshëm. Nuk ka kushte apo rrethana për zëvendësim mase”, u shpreh prokurori Kllapi.
Nga ana tjetër, avokati Kujtim Cakrani kërkoi lirimin e Metës, duke iu referuar edhe një vendimi të fundit të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë, i cili lidhet me interpretimin e masave të sigurisë.
Gjatë seancës, Cakrani përmendi edhe rastin e ish-drejtoreshës së AKSHI-t, duke deklaruar se “Gjykata e Lartë e liroi atë, ndërsa Metën e mban prej 19 muajsh në paraburgim”.
Avokati shtoi se mbrojtja është e gatshme të ofrojë edhe garanci pasurore, sipas vlerësimit që mund të caktojë gjykata.
Në sallën e gjyqit kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Partisë së Lirisë dhe opozitës, mes tyre Tedi Blushi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Bujar Leskaj, të cilët kanë ndjekur nga afër zhvillimet e seancës.









