Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka kapur Arblind Pirevën, të dyshuar për vrasjen e Agron Hajdarit, anëtarit të tifozëve “Plisat”, i njohur me nofkën “Radulla”.
Hajdari u vra të mërkurën mbrëma te Banesat e Bardha në Bregun e Diellit në Prishtinë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës, dhe kjo duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale si dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Si rrjedhojë e këtyre angazhimeve, nga njësiti i hetimeve të përgjithshme, është siguruar prezenca e personit të dyshuar: A.P, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet më tej.
Hajdari u qëllua me armë në kokë, gjoks dhe shpinë. Si pasojë e plagëve të marra, vdiq në vendin e ngjarjes.









