Janina Ymeri: Anëtarët e Bordit të AKP-së u votuan pa CV, kërkoj verifikim penal nga prokuroria

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri ka reaguar ndaj votimit të anëtarëve të propozuar për Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), duke ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe dyshime për çështje penale.

Në një postim në Facebook, Ymeri ka thënë se anëtarët e bordit janë votuar nga Lëvizja Vetëvendosje pa pasur në dispozicion CV-të apo njohuri zyrtare për ta.

“Anëtarët e propozuar për Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit janë votuar nga Vetëvendosje pa CV-të ose njohuri zyrtare për ta. CV-të e të propozuarve i ka pas vetëm kryetarja e komisionit dhe votimi nga anëtarët e tjerë ishte arbitrar, si dhe i dirigjuar nga pushteti në shfrytëzim të numrave për të ngritur persona të caktuar”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, kjo çështje është futur në rend dite pa paralajmërim dhe pa informim paraprak për Komisionin për Ekonomi.

“Andaj edhe si pikë e rendit të ditës ka ardhur pa plan, pa asnjë informim paraprak të Komisionit për Ekonomi”, është shprehur Ymeri.

Ajo ka bërë të ditur se më vonë gjatë ditës ka marrë informacione shqetësuese të natyrës penale për disa nga të propozuarit, duke shtuar se ka kërkuar verifikim nga institucionet përkatëse.

“Më vonë, gjatë ditës kam marrë informata shqetësuese të natyrës penale rreth disa të propozuarve për këtë bord dhe kam dërguar kërkesë në adresën e Prokurorisë së Shtetit dhe Prokurorisë Speciale për të verifikuar statusin penal të të gjithë anëtarëve të bordit”, ka theksuar ajo.

Deputetja e LDK-së e ka cilësuar situatën si shqetësuese, duke kritikuar qasjen e pushtetit.

“Është fatkeqësi e madhe, thënë më së buti, shpejtësia e ngritjes së keqes, së ndaluarës nga Kurti me shokë, edhe në anën tonë përpjekjet tona pa pushim për mbivendosje të meritokracisë e drejtësisë”, ka shtuar Ymeri.