Ish-redaktorja dhe gazetarja e RTK-së, Blerta Foniqi, ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me marrëveshjen mes Radiotelevizionit të Kosovës dhe Telekomit për transmetimin e ndeshjeve të Kampionatit Botëror.
Përmes një postimi publik, Foniqi tha se, sipas informatave që posedon, marrëveshja e lidhur me Telekomin e ka dëmtuar RTK-në më shumë sesa e ka ndihmuar.
“Nëse Telekomi i merr të hyrat nga reklamat dhe të drejtat sportive, ndërsa RTK-ja vë në dispozicion stafin, marketingun dhe resurset e veta, atëherë ku është përfitimi i RTK-së, mbulimi i disa minutave program a?”, ka shkruar ajo.
Foniqi ka kërkuar sqarime për mënyrën se si është negociuar marrëveshja, duke parashtruar disa pyetje që, sipas saj, kërkojnë përgjigje të qarta dhe transparente.
Ajo ka pyetur se kush e negocioi marrëveshjen, cila është baza ligjore e saj dhe me çfarë të drejte angazhohen punëtorët e RTK-së për punë që lidhen me një kompani tjetër.
Po ashtu, ish-gazetarja e RTK-së ka ngritur dilema edhe për aspektin financiar të marrëveshjes, duke pyetur pse 87 për qind e të hyrave nga marketingu kanë përfunduar te Telekomi dhe çfarë përfiton konkretisht RTK-ja nga ky bashkëpunim.
“RTK-ja financohet nga qytetarët e Kosovës për t’i shërbyer publikut, jo për t’u shndërruar në një sektor në funksion të një kompanie tjetër”, ka theksuar Foniqi.
Ajo ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të japin përgjigje të qarta dhe transparente për këtë çështje, duke argumentuar se publiku ka të drejtë të dijë për mënyrën se si menaxhohen resurset dhe të hyrat e transmetuesit publik.







