Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala i cili po ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të enjten është dëgjuar baxhanaku i Shalës, Valdet Teneqja, i cili deklaroi se me të akuzuarin ka vetëm kontakte familjare dhe se ka qenë rastësi autorizimi i kompanisë së tij si trupë inspektuese e karburanteve të lëngëta të naftës, në kohën kur Shala ka qenë ministër.
Në këtë seancë, i akuzuari Endrit Shala deklaroi se e mbështetë tërësisht deklaratën e dhënë në Prokurori dhe shfrytëzon të drejtën e tij të mbrohet në heshtje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktakuzës, Shala se duke i anashkaluar dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, ka miratuar vendimin me të cilin operatori ekonomik “Euro Inspekt” dhe emri i biznesit Valdet S.Teneqja, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të Valdet Teneqes, të cilin Shala e ka baxhanak.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Shahadin Destani, dëshmitari Teneqja deklaroj se me të akuzuarin Shala ka pasur vetëm kontakte familjare dhe nuk kanë biseduar për çështje profesionale pasi që kanë profesione të ndryshme dhe puna e tij ka të bëjë me çështje delikate dhe personale të lidhura me profesionin e kimisë.
Dëshmitari tha se në kohën kur ka aplikuar për vazhdim të autorizimit, ministër ka qenë i akuzuari Shala.
“Kur ka ardhë koha e skadimit të autorizimit të kaluar, në vazhdimin apo aplikimin në vazhdim, ka koinciduar që ministër të jetë Endrit Shala, gjë për të cilën unë nuk mund ta ndërroj profesionin tim se ministër është baxhanaku im”, deklaroi dëshmitari Teneqja.
Sipas tij, në kohën kur është emëruar, kanë qenë rreth 3 ose 4 kompani tjera të autorizuara që kanë bërë punën e njëjtë me kompaninë e tij, por që njohuritë profesionale e kanë dalluar atë nga kompanitë e tjera, me ç’rast edhe janë emëruar si trupë inspektues për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë dhe nuk ka pasur ndikim lidhja familjare.
I pyetur se sa ka qenë përfitimi nga ky autorizim dhe a do të ishte emëruar biznesi i tij nëse ministri Shala nuk do të nënshkruante atë vendim, dëshmitari Teneqja deklaroi se nuk ka përgjigje.
Teneqja deklaroi se nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë ka marrë së paku 7 autorizime për shërbimin e njëjtë para se të aplikonte për vazhdimin e autorizimit në kohën kur i akuzuari Shala ka qenë ministër.
Po ashtu, ai tha se ka operuar së paku 8 vite dhe ka ofruar shërbim për MTI-në kur nuk ka qenë ministër Shala.
Përveç shërbimeve të ofruara në këtë ministri, dëshmitari tha se punon edhe me NATO-n, KFOR-in, Doganën e Kosovës, Policinë e Kosovës, si dhe për raste specifike edhe me Prokurorinë Speciale dhe Gjykatën.
Gjithashtu, dëshmitari theksoi se ka fituar edhe në një proces gjyqësor civil kundër vendimit të ministres Rozeta Hajdari për revokimit të autorizimit.
Më pas, u bë edhe administrimi i provave materiale, ku prokurori Destani propozoi provat si në aktakuzë.
Ndërsa, mbrojtësi i Shalës, avokati Besnik Berisha propozoi prova të reja, përkatësisht opinionin, ofrimin e këshillimit profesional lidhur me konfliktin e interest të Agjencisë Anti-Korrupsion dhe Certifikatën e Auditimit, të cilat Gjykata me aktvendim i aprovoi si prova të administruara.
Seanca më pas përfondoj për të vazhduar për një ditë tjetër.
Ndryshe, në këtë rast akuzohet edhe ish-ministri Vesel Krasniqi po që seanca e 1 dhjetorit 2025 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarit Shala. Në atë rast, avokati Artan Qerkini që mbron të akuzuarin Krasniqi, kishte kërkuar që çështja penale të veçohet në mënyrë që të procedohet më shpejtë. Andaj, Gjykata jashtë seancës ka marrë vendim për veçimin e procedurës penale.
Dy të akuzuarit në seancën fillestare të mbajtur më 27 nëntor 2024 janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Themelorja dhe Apeli kanë konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj dy ish-ministrave Krasniqi dhe Shala, e cila dy të akuzuarit i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 shtator 2024 kishte paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale për plotësimin/përmirësimin e aktakuzës.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 gusht 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, të cilët i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Vesel Krasniqi në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë akuzohet se me dashje dhe dijeni, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe pa autorizim ka iniciuar dhe zbatuar procedurat ligjore për përgatitjen e Udhëzimit Administrativ për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, të cilin e ka miratuar më 11 nëntor 2020.
Ky UA sipas aktakuzës përmban disa nene të cilat janë në dëm të interesit publik dhe në dobi të interesit privat, përkatësisht me nenet 51 dhe 54 të këtij udhëzimi, Doganës së Kosovës i është hequr kompetenca për vlerësimin e cilësisë së naftës me rastin e importimit dhe futjes në territorin doganor të Kosovës, të cilën deri në miratimin e këtij akti nënligjor të kundërligjshëm e kryente Dogana pa kosto shtesë.
Aktakuza thotë se kjo çështje me këtë vendim ka kaluar te operatorët ekonomikë privatë dhe si rrjedhojë e kësaj në një proces jotransparent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI, me vendimin e 30 dhjetorit 2020 kishte emëruar kompaninë zvicerane OE “Sicpa SA” si trupë që do të kryente shënjimin dhe monitorimin e derivative të lëngëta të naftës.
Ndërsa, thuhet se më 14 janar 2021, kishte nëshkruar kontratën me këtë OE, nga e cila ishte dëmtuar interesi publik në shumën 11 milionë e 235 mijë e 706 euro e 31 centë, duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivateve të naftës me qëllim përfitimi për kompaninë private dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës, si dhe duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore.
Me këto veprime, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Kurse, Endrit Shala akuzohet se në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, me dashje dhe dijeni, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare në mënyrë që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër.
Në aktakuzë thuhet se duke i anashkaluar dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, ka nënshkruar përkatësisht miratuar vendimin me të cilin operatori ekonomik “Euro Inspekt” dhe emri i biznesit Valdet S.Teneqja, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të Valdet Teneqes, të cilin sipas aktakuzës, Shala e ka baxhanak.
Me këtë veprim, thuhet se i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të Teneqes, realizimin e dobisë pasurore në lartësi 732 mijë e 642 euro e 28 centë.
Andaj, për këto veprime, Shala ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Përmes kësaj aktakuze, prokurori special Milot Krasniqi ka kërkuar që ndaj të akuzuarve krahas dënimit kryesor të shqiptohet edhe dënimi plotësues- Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbim publik.
Ndryshe, Shala ishte ministër i Tregtisë dhe Industrisë në periudhën 2018-2020, kurse Krasniqi në periudhën qershor 2020- mars 2021.









