Kandidati i AAK-së për kryeministër të vendit, Ardian Gjini, ka vazhduar vizitat në biznese në Junik, ku ka theksuar sfidat me të cilat po përballen prodhuesit vendorë.
Ai ka thënë se gjendja në terren është shqetësuese dhe kërkon ndërhyrje urgjente institucionale.
“Mungesa e stabilitetit energjetik dhe operimi me gjeneratorë mbeten barriera të rënda për çdo prodhues”, ka deklaruar Gjini gjatë vizitave.
Sipas tij, problem serioz mbetet edhe tregu i zhavorrit dhe konkurrenca e padrejtë nga importi.
“Menaxhimi i importit të pakontrolluar të zhavorrit po dëmton direkt tregun vendor”, është shprehur ai.
Gjini ka theksuar se bizneset vendore nuk kërkojnë favore, por vetëm kushte normale për punë.
“Këta njerëz të palodhshëm nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa kushte normale për punë”, ka thënë ai.
Ai ka ritheksuar se institucionet duhet të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe jo barrë për bizneset.
“Roli i institucioneve nuk është të bëhet barrë, por të sigurojë energji cilësore dhe terren të pastër ku biznesi vendor mbrohet dhe mbështetet në çdo hap”, ka deklaruar Gjini.








