Interi, oferta 30 milionëshe nuk bind për Spence. Kontaktet mes klubeve vazhdojnë

Interi dhe Tottenham kanë rinisur kontaktet për Djed Spence, anësorin që zikaltërit e shohin si pasuesin e Dumfries. Pas dështimit të transferimit të Palestra dhe problemeve me testet mjekësore të Khalaili, anglezi është tashmë lojtari më pranë Interit.

Sipas “Sky Sport”, klubet kanë zhvilluar kontakte të reja për të gjetur marrëveshjen. Marotta dhe Ausilio kanë ofruar 30 milionë euro në total, ndërsa Tottenham, pasi fillimisht kërkonte 45 milionë euro, tani është gati ta mbyllë transferimin për 35 milionë euro, plus bonuse. Interi nuk dëshiron ta arrijë këtë shifër, por negociatat vazhdojnë.

Situata mund të lehtësohet nga disa largime. Luis Henrique, i cili pëlqehet nga Roma, vlerësohet rreth 30 milionë euro. Ndërkohë, Davide Frattesi mund të transferohet te Lazio, me marrëveshjen që po diskutohet si huazim me pagesë dhe detyrim blerjeje.