I akuzuari për vrasjen e shokut për borxh, në rigjykim për herë të tretë

Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit për vrasje, Kreshnik Haliti, duke kthyer çështjen në rigjykim për herë të tretë.

Haliti akuzohet se kishte vrarë shokun e tij M.Z., në Pejë për një borxh prej 77 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas shkresave të lëndës, Gjykata Themelore në Pejë, në rigjykim të dytë, më 1 dhjetor 2025 kishte shpallur aktgjykim me të cilin i akuzuari Kreshnik Haliti ishte shpallur fajtor dhe u dënua me dënim unik prej 19 vjet burgim.

Kundër këtij aktgjykimi, kishte ushtruar ankesë Prokuroria Themelore në Pejë, për shkak të pretendimeve për shkelje të Ligjit Penal dhe vendimit mbi sanksionin penal, si dhe atë për shpenzimet e procedurës, me kërkesë që Apeli të ndryshojë aktgjykimin e Themelores duke shpallur të akuzuarin fajtor për “Vrasje të rëndë” dhe t’i shqiptohet dënim më i ashpër. Apo të dënohet me 20 vjet burgim sa i përket rrethanave rënduese.

Kurse, për shpenzimet e procedurës, Prokuroria ka propozuar të specifikohen ato saktë dhe në mënyrë të detajuar.

Edhe, përfaqësuesi me autorizim i palës së dëmtuar, avokati Gëzim Kollçaku, ka paraqitur ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin, dhe i ka propozuar Apelit që aktgjykimi i Themelores të ndryshohet, dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Mbrojtësja e të akuzuarit Haliti, avokatja Nushe Kuka-Mekaj, kishte paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit për dënimin.

Kuka-Mekaj kishte kërkuar rikualifikimin e veprës në “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” apo t’i shqiptohet dënim më i butë. Dhe se nëse Gjykata e Apelit nuk e ndryshon aktgjykimin, atëherë është propozuar hapja e shqyrtimit gjyqësor në Apel, transmeton .

Ndërkaq, Prokuroria e Apelit përmes shkresës propozoi aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore dhe palës së dëmtuar, si dhe refuzimin e ankesës së mbrojtjes.

Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.