Hoti: Refuzimi i gazit amerikan është agjendë e mbrapshtë anti-amerikane, dihet kujt i intereson

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se refuzimi i projektit amerikan të gazit është “agjendë e mbrapshtë anti-amerikane”.

Hoti këtë e ka deklaruar me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, duke thënë se refuzimi që Qeveria po ia bën gazit amerikan s’mbështetet në asnjë argument ekonomik, shkruan Insajderi.

“Përgëzoj analistët e shumtë dhe mediat, të cilët po e sqarojnë në mënyrë profesionale dhe të pavarur se refuzimi i gazit amerikan nuk mbështetet në asnjë argument ekonomik, por në thelb buron nga një agjendë e mbrapshtë antiamerikane”, ka shkruar Hoti.

Deputeti i zgjedhur i LDK’së ka thënë se ndjekja e këtyre politikave minon qëndrueshmërinë politike dhe ekonomike të vendit.

“Besoj është e qartë për të gjithë se ndjekja e agjendave antiamerikane e minon qëndrueshmërinë ekonomike dhe politike të Kosovës. Dihet se kujt i intereson kjo agjendë”, ka shkruar Hoti.