Hasanpapaj: Fitore për LDK-në, është rritur për pesë deputetë

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bardhyl Hasanpapaj ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.

I ftuar në “Edicionin Special” në Klan Kosova, Hasanpapaj tha se LDK-ja ka shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me përbërjen që kishte në Kuvendin e Kosovës para zgjedhjeve.

I pyetur se 7 qershori a ishte humbje apo fitore për partinë e tij, ai u shpreh me bindje të plotë se ishte fitore.

“Pa asnjë dyshim fitore. Nëse e marrim nominalisht, 15 deputetë i kemi pasur kur kemi dalur nga Kuvendi i Kosovës, i ka pasur Lidhja Demokratike e Kosovës, tani kur të çelen ato dyer, do të kthehemi me minimumi 20 deputetë”, deklaroi ai.
Sipas Hasanpapajt, rritja prej pesë deputetësh përbën një avancim prej rreth 33 për qind për LDK-në.

“Është rritur edhe për pesë deputetë më shumë, që i bie 33 për qind më shumë nominalisht është rritur Lidhja Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje. E vetmja parti që është rritur kaq”, u shpreh ai.
Hasanpapaj theksoi se rezultati i arritur përbën një përmirësim të dukshëm për LDK-në.

“E treta mbetet për shkak se nuk arritëm cakun që e kishim në zgjedhje, por prapë krahasuar me situatën në të cilën kemi qenë, unë besoj që ka qenë një rezultat i mirë”, tha ai.