Ramush Haradinaj dhe ambasadori i SHBA-vë në Kosovë, Philipp Kosnett, nesër do të mbajnë një taktim në të cilin do të diskutojnë për taksën ndaj produktet nga Serbia dhe Bosnja.
Burime të lajmi.net brenda kryeministrisë kanë bërë të ditur se nesër do të mbahet një takim midis kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë Philipp Kosnett, ku do të diskutohet për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Ky takim vjen pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Qeverisë së Kosovës për pezullim të kësaj takes.
Vlen të theksohet se sonte ka pasur edhe një takim midis krerëve të koalicionit qeverisës, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli.
Sipas njoftimit të lëshuar pas takimit, konkretisht nuk është diskutuar për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe, mirëpo liderët e koalicionit janë zotuar për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës.
Thirrjet e SHBA-ve për heqje të taksës nuk u dëgjuan dhe SHBA-të filluan edhe aplikimin e sanksioneve ku tani, asnjë zyrtarë i shtetit të Kosovës nuk do të ketë vizë për të udhëtuar në Amerikë.
Ndërkohë, në media është raportuar se edhe këshilltari i Donald Trump, John Bolton do të komunikojë me Haradinajn nëpërmjet telefonit për të diskutuar në lidhje me dialogun.
Zhvillimet e fundit kanë dërguar edhe deri tek një mos-pajtim të liderëve të koalicionit rreth taksës gjë që bëri të flitej edhe për rrëzim të qeverisë e zgjedhje të parakohshme.
Por, sonte pas takimit nuk është vërejtur të manifestohet një atmosferë e tillë.
Se cilat janë hapat e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës në lidhje me taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe dialogun mbetet të shihet pas takimit që do të ndodh nesër ndërmjet Haradinajt dhe Kosnett.