Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka mirëpritur plotësim-ndryshimin e ligjit për buxhetin e vitit 2020, duke rikujtuar se ka pasur rezervat e tij për buxhetin paraprak.
I pari i AAK-së shpreson që këto ndryshime, do të hapin rrugë për riparimin e dëmeve ekonomike të shkaktuara si pasojë e mbylljes disa mujore.
“E mirëpres plotësimin dhe ndryshimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. Që në ditën e parë të miratimit të këtij buxheti, kam shprehur rezervat e mia, kështu që miratimi i këtyre ndryshimeve ka qenë i domosdoshëm. Duke pasur parasysh situatën e rëndë ekonomike, që ka kapluar edhe vendet shumë më të zhvilluara, besoj që këto ndryshime do hapin rrugë për riparimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomi, pas mbylljes disa mujore”, ka shkruar Haradinaj në reagimin e tij.
Ai ka kërkuar që me shpejtësi të procedohet pagesa e subvencioneve të planifikuara për punëtorët dhe bizneset si dhe të bëhet një plan afatgjatë i rimëkëmbjes.
“E përsëris, që ekzekutivi duhet të procedojë sa më shpejt pagesën e subvencioneve ndaj operatorëve ekonomikë dhe të bëj plan afatgjatë të rimëkëmbjes”, ka shkruar në fund kryetari Haradinaj.
Vlen të theksohet se plotësim-ndryshimi i buxhetit u votua pas një seance të gjatë, ku një për një u miratuan mbi 100 amendamente. AAK hoqi dorë nga amendamentet e propozuara, që lidheshin me projekte të ndryshme, për ta lehtësuar barrën e buxheti dhe për t’i hapur rrugë votimit të sotshëm.