Haradinaj nderon familjen Maliqi për rolin në varrimin e familjes Jashari më 1998

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sakrificën dhe guximin e familjes Maliqi gjatë ditëve të luftës në Kosovë, duke vlerësuar rolin e tyre në varrimin e familjes Jashari më 8 mars 1998.

Haradinaj ka thënë se dita e varrimit të familjes Jashari ishte ndër më të rëndat në historinë e Kosovës, ndërsa ka theksuar se në ato momente të vështira kërkohej guxim i jashtëzakonshëm për kryerjen e ceremonisë së varrimit.

Sipas tij, familja Maliqi kishte marrë përsipër këtë barrë të rëndë pa hezitim, duke treguar kurajo dhe përkushtim në një nga momentet më të dhimbshme për vendin.

“Janë disa raste në histori që nuk përsëriten dhe sado e dhimbshme që ishte, kurajo e tyre është për t’u vlerësuar dhe nderuar”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se sot ka vizituar familjen Maliqi bashkë me Arben Kiqinën, kandidat për deputet nga AAK-ja, ku edhe i ka ndarë Deli Maliqit mirënjohjen “Me besim në Zot, Atdhe e Shtet”.

Haradinaj ka vlerësuar kontributin e familjes Maliqi jo vetëm gjatë luftës, por edhe përgjatë historisë së shtetësisë së Kosovës.