Haradinaj: Bizneset vendore po dëmtohen nga kostoja e energjisë, projektet strategjike janë ndalur

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar kompaninë “BBI Plast” në Vushtrri, ku është njoftuar nga afër me punën dhe sfidat e kësaj fabrike që merret me prodhimin e ambalazheve plastike.

Haradinaj e ka vlerësuar këtë kompani si një “storje suksesi të prodhimit vendor”, duke theksuar se ajo po kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në fuqizimin e ekonomisë së vendit dhe punësimin lokal.

Megjithatë, sipas tij, bizneset vendore po përballen me vështirësi serioze, veçanërisht për shkak të faturave të larta të energjisë elektrike, të cilat po e rëndojnë ndjeshëm konkurrueshmërinë e tyre në raport me tregjet rajonale.

“Prodhimi vendor sot po operon në kushte të pabarabarta dhe me kosto të larta që e vështirësojnë konkurrueshmërinë”, ka theksuar Haradinaj.

Ai ka shtuar se Kosovës i duhet një qasje e re ekonomike që, sipas tij, duhet të fokusohet në mbështetjen e prodhuesve vendorë dhe lehtësimin e barrës së kostove operative.

Në këtë kontekst, Haradinaj ka kritikuar edhe qeverinë aktuale, duke deklaruar se disa projekte strategjike të nisura më herët për zhvillimin energjetik të vendit, përfshirë ndërtimin e termocentralit të ri dhe gazsjellësin amerikan, janë ndalur.

Sipas tij, këto projekte do të jenë prioritet në ditët e para të një qeverisjeje të ardhshme të AAK-së.