Gjini: Ferizaj po shndërrohet në motor të zhvillimit ekonomik të Kosovës

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka vlerësuar Ferizajn si një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe ndërmarrësisë në vend.

Gjini ka bërë të ditur se gjatë ditës ka vizituar dy biznese të suksesshme në këtë qytet, kompaninë e prodhimit të mobiljeve “Profil Star”, e cila punëson rreth 60 punëtorë, si dhe ndërmarrjen për përpunimin e xhamit “Loni Glass”, me rreth 20 të punësuar.

Sipas tij, puna e këtyre sipërmarrjeve dhe ekipeve të tyre është shembull i qartë se si investimet vendore ndikojnë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në fuqizimin e ekonomisë së Kosovës.

“Mbështetja e bizneseve të tilla mbetet prioritet, sepse suksesi i tyre është sukses për të gjithë ne”, ka theksuar Gjini.

Ai ka vlerësuar se Ferizaj po dëshmon çdo ditë rolin e tij të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.