Hamza: Prishtina na dha besim për t’i thënë stop krizës dhe për të ndryshuar Kosovën

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka zhvilluar një tubim në Prishtinë, ku ka thënë se takimi me qytetarët ka reflektuar “energji, besim dhe dëshirë për ndryshim”.

Hamza ka deklaruar se, sipas tij, qytetarët po përballen me lodhje nga krizat dhe pasiguria për të ardhmen, duke theksuar se në terren po vërehet shqetësim i madh për gjendjen ekonomike dhe sociale.

“Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Kërkojnë një shtet që punon për ta, një qeveri që merret me jetën reale: çmimet, pagat, të rinjtë dhe dinjitetin e familjeve”, ka thënë ai.

Sipas Hamzës, atmosfera në takimet elektorale anembanë Kosovës po e forcon bindjen e tij se vendi ka nevojë për ndryshim politik.

Ai ka theksuar se zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë vendimtare, duke bërë thirrje për mobilizim qytetar për, siç u shpreh, “t’i dhënë fund krizës dhe për ta ndryshuar Kosovën”.