Haradinaj i përgjigjet ministres serbe: Kosova kurrë nuk ka qenë zemra e Serbisë

Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Përmes një reagimi publik, Haradinaj tha se Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e identitetit shtetëror serb, duke theksuar se ajo përfaqëson humbjen historike të Serbisë.

“Kosova kurrë nuk ka qenë zemra e Serbisë. Ka qenë dhe mbetet fundi i Serbisë dhe kapitullimi i saj”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai shtoi se deklarata të tilla, që rikujtojnë retorikën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, vetëm sa e forcojnë vendosmërinë e shqiptarëve për ta mbrojtur lirinë dhe shtetin e Kosovës.

“Sot, kur dëgjojmë ministra të Serbisë që flasin me të njëjtën gjuhë si Millosheviqi, kjo vetëm na rikujton pse duhet ta mbrojmë çdo ditë lirinë dhe shtetin tonë nga mendësia gjenocidale që ende trashëgohet”, u shpreh ai.

Në fund të reagimit, Haradinaj theksoi se “Kosova është zemra e secilit shqiptar.”