Kreu i AAK-së, Ramush Haradinbaj, ka reaguar ndaj presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se po bëjnë luftë të pa kompromis për të fituar elektoratin rugovist në Podujevë. Haradinaj ka shkruar se secili prej liderëve përmes mashtrimit, pretendon se çmon vlerat e Rugovës.
Haradinaj në reagimin e tij të bërë në ditën e zbulimit të shtatores së Rugovës në Podujevë, ka thënë se Osmani, Gërvalla e Kurti sa herë që e përmendin Rugovën, ish-presidentit i rrotullohen eshtrat në varr.
Kandidati për kryeministër ka thënë se Llapi e ka merituar një shtatore të Rugovës për besnikërinë dhe besimin që llapjanët ia kishin dhënë sa kishte qenë gjallë. Haradianj tutje ka shtuar se s’është keq të përmendet fjalori i Rugovës, që po të ishte gjallë do të thoshte: “Falënderoj Presidentin Biden, Kryeministrin Staimer, Kryeministrin Scholz, Presidentin Macron, Papën dhe miqtë e Kosovës. Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin e Kosovës.”.
Sipas Haradinajt, Kurti e Gërvalla nuk e thonë një gjë të tillë dhe as s’e mendojnë kurrë, ndërsa për presidenten Osmani thotë se edhe kur e deklaron, njerëzit çdo ditë e më pak i besojnë.
Reagimi i plotë i Haradinajt:
Luftë e pakompromis e Vjosës, Albinit dhe Donikës për elektoratin rugovist në Podujevë. Secili, në formën e vet të mashtrimit, pretendon se çmon vlerat e Presidentit Rugova. Përderisa Albini dhe Donika, për të gjallë të tij, nuk e kanë fshehur urrejtjen dhe mosrespektin ndaj tij, Vjosa, si më e reja, përveç retorikës së pasur pro-rugoviane, asgjë rugoviste nuk ka. Lirisht, njeriu mund të konkludojë se qasja e të treve ndaj politikëbërjes dhe vlerave për të cilat ka qëndruar Prof. Dr. Ibrahim Rugova, ka qenë aq e ultë sa që sa herë e përmendin Rugovën, atij i rrotullohen eshtrat në varr.
Llapi e ka merituar një përmendore të Dr. Rugovës sepse besnikëria dhe besimi i llapjanëve ndaj Rugovës ka qenë unik. Nuk është keq të përmendim fjalorin e Rugovës që sot, po të ishte gjallë, do të thoshte: “Falënderoj Presidentin Biden, Kryeministrin Staimer, Kryeministrin Scholz, Presidentin Macron, Papën dhe miqtë e Kosovës. Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin e Kosovës.”
Albini dhe Donika këtë nuk e thonë as nuk e mendojnë kurrë, përderisa Vjosa, edhe kur e thotë, çdo ditë e më pak njerëz e besojnë dhe kanë të drejtë që nuk e besojnë.