Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se shpërndarja e qindra milionë eurove nga institucionet në prag të proceseve zgjedhore ndikon në rezultatin e zgjedhjeve, duke vlerësuar se ato kanë qenë të lira, por jo të ndershme.
Hamza tha se një praktikë e tillë duhet të ndalet, pasi, sipas tij, fondet publike nuk janë përdorur për qëllimet për të cilat janë planifikuar në buxhet.
“Disa herë e kam theksuar rolin edhe kontributin e tyre. Mirëpo, ligji është ky: para se me kaluar te diaspora, po ndalem brenda. Nëse vazhdojnë praktika të tilla që çdo herë në prag të procesit zgjedhor të shpërndahen qindra e qindra e qindra milionë euro, gjithmonë ka me pasë ndikim në rezultatin zgjedhor. Zgjedhjet kanë qenë të lira, po s’kanë qenë të ndershme, s’kanë qenë fair. Atëherë paratë publike nuk kanë qenë të vendosura nëpër linja buxhetore për qëllimin që janë përdorur”, tha Hamza në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Ai shtoi se mbështetja për qytetarët është e nevojshme, duke përmendur pensionistët si shembull, por theksoi se njëkohësisht po rriten çmimet.
“Nëse flasim për ruajtjen e standardit të jetës së qytetarëve të Kosovës, po bre, një pensionisti është mirë me ia dhënë edhe një mbështetje njëherësh me 100 euro… ti po rrit çmimet”, deklaroi Hamza.








