Kryetari i PDK-së Bedri Hamza në ”Click” të RTV21 ka folur për procesin zgjedhor dhe formimin e institucioneve pas zgjedhjeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rezultatit dhe fillimit të menjëhershëm të bisedimeve politike për krijimin e institucioneve.
Ai tha se diaspora ka preferenca të ndryshme në votim, por sipas tij, respekti për shtetin dhe institucionet mbetet i padiskutueshëm.
“Diaspora jonë sa i përket votës ka preferenca të tjera, por sa i përket respektit për vendin dhe institucionet nuk ka dilema për këtë”, tha Hamza.
Ai shtoi se procesi zgjedhor duhet të menaxhohet mirë dhe se pas shpalljes së rezultateve duhet të fillojnë menjëherë negociatat për formimin e institucioneve.
“Zgjedhjet duhet me qenë të organizuara mirë, secili me pranu rezultatin. Ditën e nesërme pas zgjedhjeve duhet me fillu bisedat për krijimin e institucioneve, për presidentin, qeverinë dhe Kuvendin. Marrëveshja politike duhet me e përfshi komplet strukturën e shtetit”, u shpreh ai.
Hamza theksoi se pas 8 qershorit mund të hapet rruga për ndryshime në qeverisje.
“Më 8 qershor ekziston mundësia që PDK të udhëheqë qeverinë e ardhshme”, deklaroi ai.
Hamza: Programi është rifreskuar, energjia dhe siguria kombëtare në qendër të planit
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se programi i tij politik nuk ka ndryshuar në thelb, por është përditësuar me elemente të reja, duke e vënë theksin te sektori i energjisë si prioritet strategjik.
Ai tha se baza e programit mbetet e njëjtë, por është plotësuar me qasje dhe politika të reja në fusha kyçe.
“Nuk kanë ndryshuar shumë gjëra, por kemi edhe rifreskim të programit. Baza është ajo që ka qenë, me plotësime të reja… Unë nuk them që gjendja në sektorin e energjisë nuk është mirë, por duhet me ndryshu. Nuk i përjashtoj kapacitetet e mundshme, përfshirë edhe gazin”, tha Hamza.
Hamza theksoi se energjia duhet trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare.
“Energjia është edhe siguri kombëtare. Dështimi i sistemit energjetik mund të kolapsojë shtetin”, u shpreh ai.
Hamza: Ndryshimi në PDK po vjen me njerëz të rinj dhe rritje pagash
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, ka deklaruar se partia e tij po hyn në një fazë të re me përfshirje të gjerë të figurave të reja dhe pa kundërshtime në listat zgjedhore.
“S’kemi nevojë për shumë fjalë, le të na ndihmojnë. Ju uroj sukses. Ndihem i nderuar që Aida Dërguti ka pranuar të jetë pjesë e listës pa asnjë kusht. Ka plot të tjerë në PDK, mbi 50% e listës garojnë për herë të parë për deputet – nëse kjo nuk i thonë ndryshim, nuk di çka tjetër”, tha Hamza.
Ai shtoi se fushata duhet të fokusohet në programe dhe jo në sulme apo etiketime politike.
“Jo sulme, jo etiketime. Përmirësime do të ketë – më shumë të punësuar në sektorin publik, rritje pagash për 50% (kam provuar dhe e kam bërë), pensionistët dhe viktimat e dhunës do të trajtohen më mirë. Kur kam thënë, e kam bërë”, u shpreh ai.
Hamza theksoi gjithashtu se lista e PDK-së është miratuar me unanimitet të plotë.
“Lista është aprovuar me unanimitet, pa kundërshtime. Deputetët kanë përgjegjësi të madhe, janë përfaqësues të popullit”, deklaroi Hamza.









