Hahn pret përgjigje nga Thaçi e Vuçiq për të rifilluar dialogun – bisedimet mund të zgjasin deri në fund të vitit

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimi, Johannes Hahn, ka deklaruar se është duke pritur përgjigje nga Prishtina dhe Beogradi, rreth rifillimit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, mes dyja vendeve.

Ndërkaq ka theksuar se, “bisedimet mund të vazhdojnë deri në fund të vitit 2019”.

Hahn në Davos, në Forumin Ekonomik Botëror,  ka thënë se ka rekomanduar dy presidentët, Aleksandar Vuçiq të Serbisë dhe Hashim Thaçit të Kosovës që të merren së bashku me të gjitha çështjet relevante ekonomike dhe se ai ishte i gatshëm të ndërmjetësonte bisedimet në përputhje me propozimin e tij.

Komisioneri shtoi se dialogu i ndërmjetësuar nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini duhet të vazhdojë, duke theksuar se deri me tani janë bërë hapa të rëndësishëm në Ballkan për shkak të përpjekjeve të përbashkëta.

“Jemi afër vendimit të Parlamentit grek për të pranuar marrëveshjen mbi emrin e ri të Maqedonisë. Supozoj se do të zgjidhet dhe ky është një sukses gjigant që unë kam vënë shumë përpjekje që nga viti 2015,” – tha Hahn.

Ai shtoi se Shqipëria po përmirësohet dhe se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përmirësohen, përkundër asaj që ka edhe hapa prapa.

“Kishte ngjarje në të kaluarën, kur të dy do të kapnin armët, ndërsa sot presidentët e atyre vendeve kapin telefonat dhe e thërrasin njëri-tjetrin. Natyrisht, ka hapa prapa nga të dyja palët, por nuk duhet të lejojmë që të dekurajohemi “, paralajmëroi komisioneri.

Ai shtoi se vendimi i Kosovës për të futur tarifat 100 për qind të importit për mallrat nga Serbia dhe Bosnja ishte “një hap prapa dhe tani duhet të gjendet një zgjidhje”.

Pas takimeve me Vuçiq dhe Thaçi, Hahn tha se ata e kuptonin sugjerimin e tij, ndërkaq, thekson se pret një përgjigje në ditët e ardhshme.

“Të dy e kuptojnë se duhet të ulen dhe të largojnë ” acarime ekonomike “në mënyrë që dialogu të rifillojë. Nëse ky problem nuk zgjidhet, nuk ka bisedime të mëtejshme. Kosova gjithashtu ka kundërshtime, dhe kam ndërmend t’u drejtohem atyre të gjithëve “, tha Hahn.

Hahn përsëriti qëndrimin e BE-së se vendet mund të bëheshin anëtare nëse ato së pari zgjidhin të gjitha çështjet dypalëshe.

Komisioneri nuk bëri të ditur se cili nga vendet kandidate do të hyjë i pari në BE, por ka përmendur Malin e Zi dhe Serbinë si vende që kishin hapur ose po hapnin kapituj të rinj negociues.

“Çdo vend është përgjegjës për hapat e tyre dhe me çfarë shpejtësie po i marrin ato. Nuk ka kufizim të shpejtësisë, por reformat duhet të jenë të qëndrueshme, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik, “tha Hahn, duke shtuar se procesi është kohë e gjatë.