Kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati ka deklaruar se Gjykata Speciale është e njëanshme, sepse i përndjek vetëm ish-ushtarët e UÇK-së.
Gucati në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal ka thënë se Gjykata Speciale është e dëmshme për Kosovën. “Është e vërtetë që në Kosovë flitet shumë rreth Gjykatës Speciale, por ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kemi qenë dhe jemi kundër saj. Arsyeja pse jemi kundër kësaj është se kjo Gjykatë është e njëanëshme, është një Gjykatë që i përndjek vetëm ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ne mendojmë se është një Gjykatë shumë e dëmshme për Kosovën dhe për vet luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur Gucati.
Gucati ka folur edhe për statusin e ish -pjestarëve të UÇK-së në Maqedoni, i cili ka thënë se nuk është e drejtë që të mos zgjidhet statusi i tyre. Ai beson ende te establishmenti shqiptar që do bën përpjekje edhe më të mëdha që të zgjidhet statusi i ish pjestarëve të UÇK-së në Maqedoni.
“Është e vërtetë se në Maqedoni ende nuk është zgjidhur statusi i veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Është zgjidhur statusi vetëm për pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që na kanë ndihmuar neve në Kosovë. Por, besoj se njësiti shqiptar në Maqedoni në krye me Ahmetin do ta gjejnë formën që të zgjidhet statusi i tyre. Është bërë një shkelje flagrante e qytetarëve shqiptar të Maqedonisë që kanë luftuar për të drejtat e veta dhe duhet që të ketë një nen që të zgjidhet statusi i tyre dhe jo të zgjidhet vetëm statusi i sigurisë maqedonase”, ka theksuar Gucati.