Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i ka reaguar ashpër kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, pas deklaratave të tij sot për çështjen e presidentit.
Gruda thotë se po të mos donte zgjedhje Kurti, siç deklaroi sot, nuk do ta shpërdoronte sipas tij, as mundësinë e dytë që ia dha Gjykata Kushtetuese, 34 ditë shtesë.
“Mjafton të shihet se si u përdor kjo kohë: nga 34 ditë, 7 i kaloi në vizita të pafrytshme jashtë vendit, ndërsa tri javët e tjera pa asnjë përpjekje serioze për zgjidhje.”
Tashmë teksa afati po skadon, deputeti shprehet se deklaratat e tij më s’kanë peshë, sepse tash flasin veprimet e tij, që i quan destruktive.
“Tani, kur ka mbetur vetëm një javë, deklaratat politike nuk kanë më peshë, sepse veprimet destruktive të tij në të dy raundet për zgjedhjen e presidentit flasin më qartë se çdo fjalë.”
Madje, sipas Grudës, është për keqardhje se si Kurti po e shtyn vendin drejt zgjedhjeve të reja për inate personale, transmeton Klankosova.tv
“Është për keqardhje që dikush me 51% të besimit qytetar po e shtyn vendin drejt një procesi të ri zgjedhor për arsye dhe inate personale. Qytetarët do të dijnë t’ia japin përgjigjen e duhur këtij mentaliteti!”
Ndryshe, PDK akoma nuk ka marrë shkresë zyrtare nga Kurti për këtë çështje, teksa takimet e tij me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, vazhdojnë sot.
Por, para këtij takimi, kryeninistri në një mbledhje të kabinetit të tij në mëngjes, tha se shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare “besoj se nuk është opsion”, prandaj sipas tij zgjedhja e presidentit kërkon vullnet, gatishmëri dhe kompromis.









