Opinionisti Dukagjin Gorani ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndonëse po kërkon 60% të votave në zgjedhjet e 7 qershorit, ai në fakt mendon krejt diçka tjetër.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Gorani tha se Kurti nuk synon të fitojë bindshëm zgjedhjet, por preferon një qeveri koalicioni.
“Përpjekja e Kurtit është e qartë, është përpjekje e prodhimit dhe mirëmbajtjes së klimës aktuale zgjedhore e cila më nuk i merr parasysh argumentet, faktet, programet por vetëm sentimetentet. E sentimentet janë të reduktuara në dy: urrejtje ndaj kundërshtarit dhe përpjekje për hakmarrje. Mendoj që Kurti shpreson që nuk ka me fitu shumë. Një send tjetër është çka thotë publikisht, një tjetër është çka ky shpreson. Atë që e kemi parë prej tij, është dëshira e tij e vazhdueshme të ketë qeveri koalicioni”, tha Gorani në Rubikon.
Sipas Goranit, arsyeja pse Kurti preferon një qeveri koalicioni lidhet me ndarjen e përgjegjësive për sfidat me të cilat përballet Kosova, veçanërisht procesin e dialogut.
“E qeveri koalicioni me 60% nuk mundesh me pas. E në anën tjetër motivi i tij për të pasur qeveri koalicioni është shumë i tejdukshëm: ky lyp shpërndarje të përgjegjësisë karshi telasheve që i ka Kosova para veti, sidomos në procesin e dialogut që është problemi më i madh politik i këtij vendi”, deklaroi Gorani.









