OpenAI ka pranuar të paguajë 3.2 milionë dollarë për të zgjidhur një hetim të Departamentit të Drejtësisë të ShBA-së lidhur me pretendimet për diskriminim ndaj kandidatëve amerikanë gjatë procesit të punësimit.
Sipas autoriteteve amerikane, OpenAI dhe kompania Statsig kanë përdorur praktika që dekurajonin aplikimet e punëtorëve amerikanë, përfshirë kërkesat për aplikime me postë, publikimin e vendeve të punës në orare të pazakonta dhe mosshpalljen e tyre në platforma të jashtme.
Në marrëveshjen me autoritetet, OpenAI mohoi se kishte shkelur ligjin, por pranoi ta mbyllë çështjen pa vazhduar procedurat gjyqësore, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Nga shuma prej 3.2 milionë dollarësh, 1.2 milionë do të paguhen si gjoba civile, ndërsa 2 milionë dollarë do të përdoren për kompensimin e personave që pretendohet se janë diskriminuar.
Kompania është zotuar gjithashtu të ndryshojë politikat e punësimit, të trajnojë stafin për zbatimin e ligjeve kundër diskriminimit dhe t’i nënshtrohet mbikëqyrjes së Departamentit të Drejtësisë.
Rasti konsiderohet një nga më të rëndësishmit në fushatën e autoriteteve amerikane kundër diskriminimit në punësim dhe vjen në kohën kur administrata e presidentit Donald Trump po ashpërson masat ndaj abuzimit me sistemin e vizave të punës.








