Kandidati për deputet nga PDK-ja, Arben Gega, ka kritikuar qeverisjen e deritanishme, duke thënë se vendi ka stagnuar për shkak të mungesës së projekteve zhvillimore dhe mungesës së stabilitetit institucional.
Në një takim me qytetarë, Gega ka deklaruar se gjatë gjashtë viteve të fundit qytetarët kanë dëgjuar më shumë ankesa dhe arsyetime sesa kanë parë investime konkrete në terren.
“Që 6 vjet jemi duke e parë një qyqe që vetëm është duke kukat. Me shumicë parlamentare qeverisi katër vjet dhe prapë doli duke e fajësuar opozitën, pa prezantuar projekte dhe pa një plan të qartë për zhvillimin e vendit”, është shprehur ai.
Gega ka krahasuar periudhën pas shpalljes së pavarësisë me gjendjen aktuale, duke theksuar se dikur qytetarët shihnin investime në shkolla, rrugë dhe autostrada, ndërsa sot, sipas tij, mungojnë projektet e mëdha publike.
Ai ka përmendur edhe disa projekte lokale që, sipas tij, kanë mbetur të papërfunduara ose janë zvarritur nga institucionet qendrore, duke përfshirë rrugën e Dellocit, stadiumin e qytetit dhe lotin e dytë të rrugës së Gradancit.
“Na ka marrë malli me pa projekte të reja. Ka nisur stadiumi i qytetit dhe ka mbetur ashtu. Ka projekte që presin financim dhe ekzekutim, ndërsa qytetarët presin rezultate”, ka thënë Gega.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të mbështesin Partinë Demokratike të Kosovës, duke argumentuar se vendi ka nevojë për një qasje të re që fokusohet në zhvillim, investime dhe realizim të projekteve konkrete.
Arben Gega garon për deputet nga PDK-ja me numrin 68.









