Ëndrra europiane zgjati vetëm 24 orë, mijëra emigrantë kthehen nga Ceuta në Marok pas kalimit masiv

Vala e madhe e emigrantëve që pushtoi enklavën spanjolle të Ceutës, me shpresën për një jetë më të mirë në Evropë, u shndërrua brenda pak orësh në zhgënjim dhe kthim masiv pas përballjes me realitetin. Nga rreth 60 mijë persona që arritën të kalojnë drejt territorit spanjoll, më shumë se 48.300 emigrantë u kthyen vullnetarisht në Marok, duke ndjekur të njëjtën rrugë përmes zonës kufitare ku kishin hyrë.

Shumë prej tyre kishin kaluar natën në rrugë, pa ushqim dhe ujë të mjaftueshëm, duke kuptuar se Ceuta nuk ishte “porta e hapur” drejt Evropës që u ishte premtuar. “Na gënjyen. Askush nuk na pranon. Është si një burg”, tha një 18-vjeçar maroken, duke përmbledhur zhgënjimin e shumë të rinjve që morën pjesë në kalim.

Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për të zbuluar se kush qëndronte pas mesazheve në rrjetet sociale që nxitën mijëra persona të mblidheshin në brigjet e Marokut përballë Ceutës. Në telefonat e disa emigrantëve janë gjetur mesazhe dhe postime që pretendonin se kushdo që arrinte të kalonte në territorin spanjoll do të përfitonte leje qëndrimi, procedura legalizimi dhe më pas lëvizje të lirë drejt Spanjës kontinentale. Këto pretendime rezultuan të pavërteta, por për mijëra të rinj pa punë dhe perspektivë, ato u kthyen në një motiv për të ndërmarrë një udhëtim të rrezikshëm.

Sipas raportimeve të Financial Times, kalimi masiv drejt Ceutës nuk ishte një lëvizje spontane. Shumë prej emigrantëve ishin përgatitur për javë të tëra, duke mësuar të notonin ose duke marrë pajisje për kalimin detar. Në rrjetet sociale ishte krijuar një lloj infrastrukture informale, ku shpërndaheshin informacione për kushtet e motit, rrymat detare, rrugët më të shkurtra dhe madje reklama për kostume zhytjeje e pajisje noti. Mijëra persona u drejtuan drejt kufirit maroken me këmbë, biçikleta, makina dhe mjete të tjera, duke shkaktuar kaos në rrugët që çonin drejt vijës kufitare. Pavarësisht se distanca deri në Ceuta është vetëm disa qindra metra në disa pika, rrymat e forta dhe mbipopullimi i detyruan shumë prej tyre të qëndronin në ujë për orë të tëra.

Pamjet nga bregu spanjoll treguan njerëz që dilnin nga deti të lodhur dhe me plagë të shkaktuara nga shkëmbinjtë. Garda Civile spanjolle monitoroi situatën, ndërsa ekipet e emergjencës u përkujdesën për të mbërriturit. Sipas mediave spanjolle, të paktën 57 persona humbën jetën gjatë përpjekjes për kalimin detar. Pas mbërritjes, shumë emigrantë u drejtuan drejt qendrave të pritjes, por kapacitetet e tyre ishin tejmbushur. Një pjesë e tyre qëndruan në zona të hapura nën mbikëqyrjen e policisë dhe Kryqit të Kuq, duke pritur vendime të mëtejshme.

Megjithëse vendimet e fundit gjyqësore në Spanjë kanë ndryshuar disa procedura për kthimet e menjëhershme, Ceuta nuk përbën një hyrje të lirë drejt pjesës tjetër të Bashkimit Evropian. Për të kaluar në Spanjën kontinentale kërkohen kontrolle të tjera kufitare. Komisioneri Evropian për Migracionin, Magnus Brunner, deklaroi se pothuajse të gjithë personat që kaluan kufirin përfundimisht u kthyen në Marok, duke mbyllur një nga episodet më të mëdha të presionit migrator në kufirin jugor të Evropës./BalkanWeb/