Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me dyshimet se rreth 20 persona janë helmuar pasi kanë konsumuar ushqim në një nga pikat e rrjetit të lokaleve “Sach Pizza” në Prishtinë. Rasti po hetohet në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet përkatëse.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se më 10 korrik ka pranuar informacion për një rast të dyshuar të helmimit nga ushqimi.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se më 10.07.2026, Policia ka pranuar një informatë lidhur me dyshimin për helmim nga ushqimi të disa personave. Menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet përkatëse”, kanë thënë nga Policia për Reporteri.net.
Ndërkohë, pacientët që dyshohet se janë prekur nga helmimi kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga dita e premte.
Shefi i ndërrimit në Klinikën Infektive, Izet Sadiku, ka bërë të ditur për Reporteri.net se 16 pacientë janë hospitalizuar që nga dita e premte, ndërsa edhe tre të tjerë kanë kërkuar trajtim gjatë së dielës.
“16 pacientë janë të hospitalizuar që nga e premtja, ndërsa tre të tjerë kanë ardhur këtë të diel”, ka deklaruar Sadiku.
Ai ka tutje ka thënë se mjekët janë duke pritur rezultatet e analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e saktë të helmimit dhe për të kuptuar nëse gjendja e pacientëve është shkaktuar nga ushqimi i konsumuar.
Sadiku ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e pacientëve është e mirë dhe ata po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.








