“Durim” qe thirrja e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku pas secilit rezultat të zgjedhjeve. Në secilën herë doli humbës. Ka kërkuar durim edhe tani kur shpërthyen thirrjet për dorëheqjen e tij si pasojë e këtij rezultati, teksa u kundërpërgjigj se pret dorëheqjen e të tjerëve për rezultatin e njëjtë.
“Bashkimi i madh i së djathtës” qe vetëm shminkë e krizës së brendshme që po përjeton LDK-ja në të paktën dhjetë vjetët e fundit. Kriza dilte në sipërfaqe herë pas herë nga të pakënaqurit që reagonin fiks pas zgjedhjeve, në të cilat LDK-ja dilte e treta, secilën herë me përqindje më të ulët. Vetëm në zgjedhjet e fundit ka 16 për qind, ngritje prej 3 për qind nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025. Ndërkaq, rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit nuk ishte më i mirë krahasuar me ato të 9 shkurtit 2025 kur LDK-ja doli e treta përsëri me 18.27 për qind.
Rezultati ishte i dobët ani pse LDK-ja e prirë nga Lumir Abdixhiku ishte “pajtuar” me Vjosa Osmanin që të ishte prijëse e listës së deputetëve si kandidate për presidente. Edhe më Osmanin që në zgjedhjet e vitit 2021 braktisi LDK-në për t’u bërë bashkë me Albin Kurtin, LDK-ja nuk fitoi shumë në ulëse të Kuvendit. Në vitin 2025 pati 15 ulëse, ndërkaq në ato të 7 qershorit ka 18 ulëse. Në secilën prej rezultateve të dobëta dhe përplasjeve të brendshme, lideri humbës bënte thirrje për durim.
Krizat pas zgjedhjeve
Ndryshe prej paraardhësit të tij, Isa Mustafës, i cili në zgjedhjet e vitit 2021 nuk kishte garuar, por kishte vendosur Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër, pas humbjes kishte dhenë dorëheqje dhe kishte ftuar Kuvendin e ri të LDK-së për ta zgjedhur kryetarin e ri. Abdixhiku ani pse humbës dhe i treti në secilën garë për dorëheqjen e tij e angazhoi Kuvendin e partisë që të vendoste për të. Me shumicë votash, LDK-ja në janarin e vitit 2026 vendosi që të vazhdonte me të.
Në përpjekje për mbijetesë, Abdixhiku edhe në zgjedhjet e 7 qershorit doli me fushatën për bashkimin e së djathtës, me Osmanin përkrah. Skenari ishte i njëjtë si në çdo rezultat të zgjedhjeve shfaqja e të pakënaqurve me këto rezultatet dhe thirrjet për dorëheqje të liderit.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, deputeti dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti nxiti reagime të ashpra me kritikat ndaj kryetarit të partisë, të cilin e bëri fajtor për rezultatin e dobët.
“Askush z.Abdixhiku nuk e ka mbajtë për këmishe me tërheq nga mbrapa. Përkundrazi. Nëse një kryetar i LDK-së pas Rugovës ka pas më së shumti diskrecion vendimarrës ka qenë ky në vendimmarrje që ka pas gjatë këtyre viteve”, kishte thënë Hoti në janarin e vitit 2026.
Hoti theksoi se rënia në rreth 13 për qind nuk mund të justifikohet as me diasporën e as me faktorë të jashtëm. Sipas tij, problemi është i brendshëm dhe lidhet me mungesën e besimit të qytetarëve ndaj mënyrës se si është udhëhequr LDK-ja.
“Kriza” e Viberit
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kur LDK-ja përsëri doli e treta, u shfaq një krizë e re brenda kësaj partie. Pakënaqësia e shprehur në grupin e Viberit për vjedhje votash brenda LDK-së.
Pas këtyre zgjedhjeve u publikuan komunikimet në “Viber” ndërmjet, Arben Gashit, Kujtim Shalës, Avdullah Hotit, Armend Zemajt dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku
Kriza e re
Tri degë të kësaj partie i kanë kërkuar Lumir Abdixhikut dorëheqje pas dështimit në zgjedhje. Në përgjigje, Abdixhiku refuzoi e u kërkoi kryetarëve të degëve ta bëjnë një gjë të tillë. Madje me akuza për sabotim.
Ajo që nisi shkëndijën e shkundjes qe dega në Pejë. Kjo degë, në të cilën LDK-ja udhëheq tash e sa mandate, kërkoi nga Abdixhiku dorëheqjen si akt moral dhe politik.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë. Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja. Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, ka shkruar kjo degë në Facebook.
Dhjetë minuta më vonë dega në Lipjan kërkoi “dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”.
Pasoi përgjigja e Abdixhikut. Në një shkrim, po ashtu në Facebook, ai i cilësoi sugjerime të koordinuara të këtyre dy degëve. Ka thënë se pajtohet që rezultati në këto dy degë nuk ishte i kënaqshëm, megjithatë refuzoi çështjen e dorëheqjes për vete. Tek ka thënë se atë e ka trajtuar më 31 janar kur u votëbesua, Abdixhiku ka thënë se i pret dorëheqjet morale të dy kryetarëve të këtyre degëve. “I pranoj menjëherë”, ka thënë ai për Gazmend Muhaxherin që dikur ishte nënkryetar i partisë e Imri Ahmetin që ushtronte funksionin e sekretarit.
Abdixhiku tutje ka vazhduar me akuza duke thënë se nuk do të lejojë “që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë”.
“Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash. Që nga atëherë, me te gjitha pengesat e dyshimet, në një kohë aq të shkurtë, ne megjithatë u rritëm. Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do të lejojmë që vullneti i shumicës dërrmuese të LDK-së të tjetërsohet ne projekte që synojnë ndarjen dhe më pas shuarjen e LDK-së”, ka shtuar Abdixhiku duke bërë thirrje për ruajtje të qetësisë.
E tekstin në fillim e mbarim e shoqëroi me fjalët “Si nuk u ngopën kurrë?!”
Pas humbjeve, dhe përplasjeve që veç u bënë publike, dorëheqjen e Abdixhikut e kërkoi edhe Dega e dytë e LDK-së në Prishtinë.
“LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës. Prandaj, kjo situatë kërkon reflektim të thellë, përgjegjësi politike dhe vendime të guximshme”, u tha në letrën e kësaj dege.
Nënkryetarja e partisë, Doarsa Kica ka reaguar më vonë duke thënë se rezultati kërkon reflektim, por që bashkon e jo copëton partinë. Tek bëri thirrje për unitet, Kica-Xhelili ka thënë që nuk duhet të lejohet që LDK-ja të përçahet.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja mbeti e treta. Ajo mori 16.69 për qind të votave, ndërsa në Kuvend u rrit për tre deputetë. Në listë ajo riktheu ish-presidenten Vjosa Osmani. Në fushatë u proklamua si “bashkimi i madh i së djathtës”.
Abdixhiku mori mbështetjen e partisë për të vazhduar si kryetar më 31 janar, kur u votëbesua nga anëtarësia pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Edhe atëherë ishte forcë e tretë, por me 13.24 për qind të votave.








