“Në vend që të ndiqet fajtori, merren në pyetje viktimat”.
Kështu shprehet Millosh Bllanusha nga Beogradi – i cili më 15 mars 2025 u gjend në qendër të ngjarjes ende të pazbardhur, të quajtur “topi zanor” – pas nisjes së një hetimi të ri.
Një kthesë e re në këtë rast u bë nga Prokuroria e Lartë Publike këtë muaj, me hapjen e një hetimi për të përcaktuar nëse turma që vrapoi në panik nga një rrugë në qendër të Beogradit, gjatë një proteste kundër qeverisë, ishte “simulim” i planifikuar paraprakisht, shkruan REL.
Lëvizja studentore i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si “një tjetër gënjeshtër dhe shmangie të vëmendjes nga çështja thelbësore” se çfarë ka ndodhur realisht.
Në ditët e para të hetimit, policia kreu bastisje nëpër banesa dhe zhvilloi disa intervista informative.
Analisti ushtarak, Aleksandar Radiq, ishte i pari që u mor në pyetje dhe ishte ndër të parët që, pas ngjarjes së marsit, doli me vlerësimin se “policia kishte përdorur armë zanore kundër demonstruesve”.
Radiq vlerëson se “pushteti po përpiqet t’i akuzojë studentët dhe qytetarët për një simulim të supozuar të ‘topit zanor’, sepse ka një problem serioz me Kombet e Bashkuara dhe Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”.
OKB-ja, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni Evropian kanë bërë disa herë thirrje për hetime transparente.
Vetë hetimi për ngjarjen e 15 marsit 2025 është ende në fazën fillestare, para-hetimore, pranë Prokurorisë së Parë Themelore Publike, e cila ka thënë se ka mbledhur rreth 170 dëshmi gjatë më shumë se një viti.
Atë ditë, mijëra njerëz u shpërndanë me vrap derisa nderonin viktimat e shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.
Pjesëmarrësit raportuan për një tingull të fortë dhe për dridhje të pazakonta që i detyruan të largoheshin.
Ndërsa autoritetet njoftojnë se do të ketë edhe intervista të tjera informative me personat që kanë pretenduar se është përdorur armë zanore, sektori civil në Serbi paralajmëron për një “përmbysje absurde të tezave”.
Radiq akuzon Agjencinë e Sigurisë Ushtarake
Pas bastisjes së banesës së tij dhe marrjes në pyetje, më 22 qershor, analisti ushtarak, Aleksandar Radiq, u kontaktua edhe nga policia ushtarake, për kontrollimin e kompjuterëve të tij.
Radiq tha për agjencinë serbe të lajmeve Beta se beson që pas bastisjes së banesës dhe thirrjes për intervistë informative, qëndron Agjencia e Sigurisë Ushtarake (VBA), e cila, sipas tij, prej kohësh e ndjek, e pengon në punën e tij dhe e frikëson.
“Kanë frikësuar edhe njerëz nga rrethi im, më kanë ndjekur nëpër kafene dhe, kështu, kanë treguar një nivel të lartë obsesiviteti”, tha Radiq për agjencinë Beta.
Avokati i tij, Stefan Qorda, tha se policia ka kontrolluar në detaje gjërat e Radiqit “sikur të ishte ndonjë kriminel i madh”.
Vuçiq paralajmëron intervistime të tjera
Në orët kur policia, me urdhër të Prokurorisë, po merrte në pyetje Radiqin, u deklarua edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Duke folur për televizionin Informer, ai tha se “të gjithë ata që kanë pretenduar se pushteti ka përdorur ‘top zanor’, do të thirren për të dhënë deklarata”.
Rasha Nedelkov, drejtor programor i organizatës joqeveritare CRTA, e cila ka mbledhur dëshmi nga qytetarët për këtë ngjarje, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka frikë nga “thellimi i presioneve dhe hakmarrjes”.
“Makineria propagandistike e pushtetit ka nisur një ofensivë dhe fushatë lidhur me ‘topin zanor’, me qëllim që t’i bëjë viktimat agresorë dhe t’i bindë qytetarët se ajo që kanë përjetuar me sytë dhe trupat e tyre, nuk ka ndodhur fare”, thotë ai.
Që nga 19 qershori, kur Prokuroria e Lartë Publike njoftoi se po niste hetimet, Vuçiq, për dy ditë rresht, falënderoi Shërbimin e Sigurisë Ruse (FSB), i cili, sipas tij, së bashku me shërbimin serb, ka konfirmuar se në protestë nuk është përdorur “top zanor”.
Në një raport pa nënshkrim, të publikuar në prill të vitit të kaluar në faqen e Agjencisë Informative të Sigurisë së Serbisë (BIA), thuhet se pajisjet zanore që posedon policia, janë testuar mbi qen në poligonin e BIA-s.
Në raport thuhet se mund të konstatohet “në mënyrë kategorike” se nuk ka pasur përdorim të armës zanore.
Po ashtu, sugjerohet se qytetarët në protestë janë shpërndarë si rezultat i një veprimi të koordinuar – se në vendin e ngjarjes ka pasur “një numër të madh njerëzish agresivë që kanë ndjekur një skenar të caktuar”.
“Raporti i FSB-së – shuplakë për partnerët në BE”
Nedelkov, nga organizata CRTA, vlerëson se ky raport është “i turpshëm për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
“Që ne të konsultohemi me FSB-në në këtë moment gjeopolitik, është një qëndrim politik dhe një shuplakë për partnerët në BE”, thotë ai.
Serbia ka vazhduar të mbajë marrëdhënie miqësore me Rusinë edhe pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, duke refuzuar t’u bashkohet sanksioneve të Perëndimit kundër saj.
“Unë nuk shoh asgjë profesionale apo serioze; [raporti në faqen e BIA-s] nuk jep asnjë fakt, nuk jep asnjë kornizë metodologjike që të mund të përcaktohet nëse diçka ka ndodhur apo jo”, thotë Nedelkov.








