Një konflikt brenda një familjeje në Dibër rrezikoi të përshkallëzohej, por ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi përkeqësimin e situatës. Ngjarja ndodhi në fshatin Majtarë, ku një 34-vjeçar dyshohet se dhunoi kunatën e tij, ndërsa djali 19-vjeçar i saj qëlloi në ajër me armë zjarri, me qëllim kanosjen e xhaxhait të tij.
Policia ka arrestuar 34-vjeçarin D. E., ndërsa 19-vjeçari F. E. është shpallur në kërkim. Menjëherë pas marrjes së njoftimit për konfliktin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër shkuan në vendngjarje dhe ndërhynë për të sqaruar rrethanat dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, shkruan rtsh.al, \.
Policia vijon punën për kapjen e 19-vjeçarit, ndërsa po kryhen kontrolle për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur gjatë konfliktit.
Në lidhje me ngjarjen, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe për 40-vjeçaren F. E. dhe 25-vjeçaren A. E., pasi dyshohet se kanë dhunuar njëra-tjetrën.
Gjithashtu, në gjendje të lirë po procedohet shtetasi E. E., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka tentuar të fshehë provat në vendngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.









