Deputetja Koçeku me një denoncim të fortë një ditë pas largimit nga PS-ja: Ky mesazh i drejtohet Bajrave të Shkodrës…

Deputetja Marjana Koçeku, e cila u largua nga Partia Socialiste dhe u rreshtua si ligjvënese e pavarur, ka dale me një reagim të fortë, duke lënë të kuptohet se ajo ka marrë kërcënime.

Mesazhin deputetja e qarkut Shkodër ia drejton grupit të Bajrajve, duke i thënë se “nëse familjes së saj i preket një fije floku ajo do ti shkatërrojë”.

“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkruan ajo.

Një ditë më parë, Koçeku sfidoi socialistët dhe kryeministrin Rama që të shpërndajnë parlamentin, të shkojnë në zgjedhje të parakohshme dhe të matin forcat.

Ky qëndrim i deputetes, erdhi pasi shumë socialiste e kritikuan atë, duke i kërkuar që të dorëzojë mandatin e deputetes dhe jo të largohet si e pavarur.

“Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet. Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka. Kësaj radhe do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë, dhe do zbres me kandidue në Tiranë. Para se të vij, ndoshta iu marr leje malësorëve të mi me e folë gjuhën standarde”, shkruan deputetja.

Deklarimi si deputete e pavarur u bë nga vetë ajo tre ditë më parë, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë”, shkroi ajo një ditë më parë teksa njoftoi largimin nga PS.

Po ashtu, më herët gjatë ditës së djeshme, Marjana Koçeku, e njohur ndryshe edhe si “Neomalësorja” ka postuar në rrjete sociale një foto të një flamingoje, duke shprehur kështu mbështetjen ndaj protestave masive për largimin e Ramës, që kanë marrë emrin “Revolucioni Flamingu”.